Artan Gj. Hasani: Ç’bëhet dashuria kur dy vetë ndahen?

Ç’bëhet dashuria kur dy vetë ndahen,
vritet e plagoset, venitet a tretet,
ç’bëhet dashuria kur lotët e saj thahen,
prostitutë bëhet apo murgeshë përjetë mbetet?

Ç’bëhet dashuria kur ëndërr e bukur kthehet
në torturë absurde të cmendurisë manì,
nga krahët e harresës vallë rrëmbehet
apo mbi fytyrën e bukur hedh thjeshtë një vel të zi?

Ç’bëhet dashuria kur hapat largohen,
pret në udhëkryq pa ditur nga të shkojë
apo njërin nga ata që duan të harrohen,
me kujtimin e tjetrit nga gjumi do ta zgjojë…?

ObserverKult

—————-

Lexo edhe:

ARTAN GJYZEL HASANI: PO PLAKEM DHE PRES TË BËHEM FËMIJË

po plakem dhe pres të bëhem fëmijë
të më gënjejnë lehtësisht me gjëra të vogla
të luaj me heshtjen duke pritur të kthehen
vizatime të vjetra me veten për dore
ku oxhaku i shtëpisë nuk nxjerr më tym
kam harruar si vizatohet dielli
lumi që kalon pranë është i tharë
dhe dera që atëbotë ishte e mbyllur
tashmë e hapur plagë…
por qiparisat e mi janë të kuq…