Artan Gjysel Hasani: Kjo është një poezi me vdekje

artan gjysel hasani

kjo është një poezi me vdekje
dhe ti natyrisht nuk e pëlqen
por s`do të ndodhë asgjë e jashtëzakonshme…
njerëzit do të vdesin të gjithë
janë në vendin e duhur
bota është një varrezë sferike
prej hiri e dheu
ku sa je gjallë të shërbehet edhe ujë…
do të linden të tjerë
do të vdesin edhe ata
do të linden ata që na harrojnë
do të vdesin ata që akoma na mbajnë mend
për të mirë a të keq, njësoj e parëndësishme,
do të ikim një nga një ose në grupe
më të vegjël në numër se varrmihësit
nëse do të jemi me fat,
pa imituar askënd
do të ikim të buzëqeshur nga skena
mosbesimtarë fanatikë të fajit
të përkohshëm të përjetshëm të tjetrit
do t`ua bëjmë me sy atyre që mbesin
dhe në Luginën e Vdekjes do të vrapojmë të gëzuar
pa shkelur lulet dhe gojëdhënat
me marshe funebre do t`i ndjellim fluturat
do të ikim pa mbaruar shfaqja
komikë si dy shekspirë të panevojshëm…