Artan Gjyzel Hasani: Do të harrosh përse u ndave…

Poezi nga Artan Gjyzel Hasani

do të vijë një kohë kur do të të duken njësoj
njerëzit që ndeshe andej nga kalove
do të harrosh përse u ndave nga ata
s’do të të kujtohet përse i dashurove
dhe do të kuptosh që asgjë s’është e shkëlqyer
askush siç niset, te tjetri nuk mbërrin
jeta është poezi e shkruar në varg të thyer, zemër,
veç të dashuruarit e lexojnë me rimë…
në paqe me veten në çdo luftë vemi
jo për ngadhënjim, por për të humbur me nder
qëllime të mira në kohë toksike jemi
dhe falim ata që kurrë s’kërkuan ndjesë…

ObserverKult

—————————–

Lexo edhe:

PYETËSORI I PRUSTIT: ARTAN GJYZEL HASANI

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Unë nuk besoj te lumturia, aq më pak te përkryerja e saj. Në një arsyetim ideal, lumturia e përkryer do të ishte ajo gjëndje ku njerëzit i japin mundësi njëri tjetrit të jenë vetvetja pa asnjë kusht.

Cila është frika juaj më e madhe?
Lartësitë, por jo fluturimet.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Njeriun që dua.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Asnjëri.

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
Gjykimi i vetes.
 
Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Mosmirënjohja.

Në cilat gjëra e teproni?
Mirëbesimi.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
Dashuria.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Rruga e panjohur, pak rëndësi ka mjeti, mjafton që ajo rrugë të kalojë nga shpirti.
 
Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
Dreqi ta hajë…

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Kur kam zhgënjyer njerëz që më kanë dashur shumë, sidomos tim atë…

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Jeta, përderisa akoma nuk e kam braktisur.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
Poetike dhe anormalisht e shëndetshme.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tekvetvetja, cila do të ishte ajo?
Vendndodhjen e trurit. Do të ishte më mirë të ndodhej pranë zemrës.

Tekstin e plotë mund ta gjeni KËTU