Poezi nga Artan Gjyzel Hasani
Nëse…
…e ke gjetur ti
gjumin që kam humbur
mos ma kthe
do të përdor gjumin e dikujt
që fjeti më shumë se ç’duhet…
të lutem mbaje mirë
dhe vëre të flerë pranë orës
pa ëndrra që trondisin
të zgjohet në kohën e duhur
dhe të të sodisë
kur ti dremit e qetë
shkujdesur
pa kujtesë
si lumturia kur humbet qëllimin
në zgjimet e tjetrit…
ObserverKult
Lexo edhe:
PYETËSORI I PRUSTIT: ARTAN GJYZEL HASANI
Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Unë nuk besoj te lumturia, aq më pak te përkryerja e saj. Në një arsyetim ideal, lumturia e përkryer do të ishte ajo gjëndje ku njerëzit i japin mundësi njëri tjetrit të jenë vetvetja pa asnjë kusht.
Cila është frika juaj më e madhe?
Lartësitë, por jo fluturimet.
Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Njeriun që dua.
Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Asnjëri.
Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
Gjykimi i vetes.
Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Mosmirënjohja.
Në cilat gjëra e teproni?
Mirëbesimi.
Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
Dashuria.
Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Rruga e panjohur, pak rëndësi ka mjeti, mjafton që ajo rrugë të kalojë nga shpirti.
Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
Dreqi ta hajë…
Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Kur kam zhgënjyer njerëz që më kanë dashur shumë, sidomos tim atë…
Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Jeta, përderisa akoma nuk e kam braktisur.
Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
Poetike dhe anormalisht e shëndetshme.
Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tekvetvetja, cila do të ishte ajo?
Vendndodhjen e trurit. Do të ishte më mirë të ndodhej pranë zemrës.
Tekstin e plotë mund ta gjeni KËTU