Poezi nga Artan Gjyzel Hasani
… se gjithsesi duhet të ketë një mënyrë
që unë dhe ti të mbysim botën
në një puthje, mbase edhe në dy,
po kur gjinjtë e tu kokëfortë
të humbasin krenarinë në gishtërinjtë e mi
si do t’ia bëjmë pastaj?
gjethet cila dorë do t’i shfletojë?
kush do t’i shkruajë vargjet?
se shkëmbi është shkëputur nga mali
rrokullisur përplasur thërmuar
një gur i vogël ka mbetur në fund
me mungesën e lartësisë i mësuar
tespije për kujtimet e ndokujt…
por ti mos mendo keq për mua
pse monopatet m’i ka mbuluar pluhuri
kam fituar betejat e të tjerëve
kam humbur luftërat e mia
në tempullin e Kohës i kam dorëzuar armët
dhe vendi i gabuar është bërë i duhuri…
unë nuk besoj më te zjarri dhe flaka,
veç te puhiza që le pas jehona
bota çdo ditë mbytet në miliona puthje
e një nga ato
padashje
mund të jetë e jona
kur gishtërinjtë e tu të hollë e të gjatë
mes qiejve të ujërave të arrijnë këtu larg
dhe të shuajnë zjarret e harruar ndezur
në tastierën e gjoksit tim
ku gjithnjë mungon një brinjë
që netëve nuk arrin të bëhet grua…
ObserverKult
Lexo edhe: