‘Hapa televizorin dhe pashë se kur ballina e teatrit po rrëzohej. Seç ndodhi më vonë të gjithë jemi dëshmitarë. Nëse dikush do më pyeste se ç’ndjeva në ato momente, nëse e qava me lot, nëse…do ju them jo, sepse keqardhjen për atë Teatër, keqardhjen si emocion, e kam ndarë bashkë me kolegët e mi, për dhjetëra vite dhe kur flasë për kolegë e them duke u mburrur sepse ata kanë qenë mësuesit e mi’, u shpreh aktori Artan Imami për Report TV dhe përjetimin e tij për shembjen e teatrit.
Aktori Artan Imami, i cili shprehet i sigurt se projekti i ri duhet të zbatohet në të njëjtin vend.
30 vite më parë, Artan Imami do të ngjitej për herë të parë në skenën e Teatrit Kombëtar, që sikurse thotë ai, mes emocioneve dhe pasionit për të luajtur përkrah emrave të mëdhenj të artit me të cilët ishte rritur, ndjente jo pak dhimbje për kushtet mizerabël që ofronte godina tashmë e shembur e Teatrit Kombëtar. Dhimbje, që siç thotë Artan Imami, e vërente edhe tek korifenjtë e artit dramatik si Sulejman Pitarka, Kadri Roshi, Drita Pelinku, Margarita Xhepa.
Në një intervistë për Report TV, aktori Artan Imami tregon përjetimet që ndjeu në momentin kur pa se po shembej godina e teatrit, por ka edhe një apel për shoqërinë: “Asnjë njeri, nuk mund ta pengojë ndërtimin e atij teatri të ri në atë vend. Nuk mundet dot, askërkushi nuk e ka fuqinë të ndalojë një brez të ri i cili po pret”.
Rrëfimi i plotë:
Në 17 Maj 2020 rreth orës 09:30, u zgjova nga gjumi dhe gjëja e parë siç është zakoni, pashë se kush më kishte marrë në telefon dhe pashë që kishte marrë Drejtori i Teatrit Kombëtar. Në orën 05:05 të mëngjesit. I shqetësuar hapa telefonin dhe e pyeta: çfarë ka ndodhur?
“Pse nuk e ke marrë vesh”, – më tha mua.
“Jo”, – i thashë unë.
“Hape pak televizorin”, – më tha- teatri…
Hapa televizorin dhe pashë se kur ballina e teatrit po rrëzohej. Seç ndodhi më vonë të gjithë jemi dëshmitarë. Nëse dikush do më pyeste se ç’ndjeva në ato momente, nëse e qava me lot, nëse…do ju them jo, sepse keqardhjen për atë Teatër, keqardhjen si emocion, e kam ndarë bashkë me kolegët e mi, për dhjetëra vite dhe kur flasë për kolegë e them duke u mburrur sepse ata kanë qenë mësuesit e mi. Duke u nisur që nga i shtrenjti, më i shtrenjti për mua, Sulejman Pitarka apo Kadri Roshi, Drita Pelinku, Margarita Xhepa. Ata që kanë qenë moshatarë me mua. Unë në Teatër tashmë kam jetuar për pothuajse mbi 30 vite. Që nga ajo kohë, më parë se ajo kohë, kemi qenë dëshmitarë se si Teatrit i binte çatia, i rrëzoheshin muret. E megjithatë, megjithëse ne bërtisnim të bëhej diçka për atë Teatër, përveçse arnave, nuk na u dha asnjëherë mundësi t’i vishnim një kostum të ri, apo ta shëndoshnim në një mënyrë. I adaptuar për të qenë Teatër, i mbajtur prej artistëve, prej krijuesve, prej atyre që duke jetuar e punuar aty brenda, ai mbahej në këmbë.
Përpara rreth 2 vjet e gjysmë, ne u larguam nga ai teatër për në një teatër tjetër më modest, më spartan, në pritje, që premtimi i bërë për ngritjen e një Teatri të ri të bëhej realitet. Që nga ajo kohë kanë kaluar 2 vjet, ka ndodhur një protestë. Ka pasur shumë njerëz të cilët kanë dyshuar në ndershmërinë e premtimit të pushtetit të sotëm. E kanë futur këtë projekt të mirëpritur dhe të kaq shumë pritur në lloj-lloj teorish konspirative mund të themi. Kanë dyshuar sikurse edhe unë dyshoj. Nuk i jap besim të plotë pushtetit ditët e sotme ku opozitën na duhet ta bëjmë ne. Por edhe sikur opozita të themi, ajo tradicionale të bënte detyrën e vet, ne do të kërkonim gjithmonë e më shumë që premtimi jo vetëm të bëhej realitet, por të ishte maksimal në të tëra pikëpamjet. Jo vetëm estetikisht, por sidomos çfarë do të kishte Teatri brenda, brenda asaj ndërtese.
Edhe mbas takimeve të shumëpërsëritura me kryetarin e bashkisë, me njerëzit që janë kompetentë dhe flas për institucionet tona, inxhinierë, konstruktorë, arkitektë, më në fund u bindën që asaj godine, e cila po të kishte gojë do të thoshte -‘më keni lodhur shumë, kam mbajtur në kurriz shumë më tepër vite sesa jeta ime natyrore më lejonte, dhe dua të largohem me dinjitet’– të gjithë këtyre njerëzve, duhej t’u ishte mbushur mendja që asaj godine i duheshin bërë nderet e fundit, ashtu siç e meritonte. Siç e meritonte me atë dinjitet, që ajo përfaqësonte, pavarësisht se ishte dobësuar, sidomos kohët e fundit. Megjithatë unë i falënderoj ata të cilët ngelën dyshues deri në fund, sepse ata bënë që projekti të përmirësohej dhe kjo gjë do të vazhdojë deri në ditën e inaugurimit, të prerjes së shiritit të atij teatri të ri që do të ngrihet në atë vend, që është vendi i Teatrit Kombëtar. Nuk ka vend tjetër për Teatër Kombëtar. Për teatro të tjerë po, mund të ketë vende, por për Teatrin Kombëtar është vetëm ai vend. Premtimi është që do të ndodhë shumë shpejt. Asnjë njeri, asnjë vullnet, i mirë dhe sidomos i keq, nuk mund ta pengojë ndërtimin e atij teatri të ri në atë vend. Nuk mundet dot, askërkushi nuk e ka fuqinë të ndalojë një brez të ri i cili po e pret. Ne të tjerëve që na ka vajtur jeta pa luajtur ditë pas dite, pa u takuar me publikun ditë pas dite, në një ambient ku nderohen ata, nderohen dramaturgët e mëdhenj, nderohet arti…