Arti Lushi: As këtë vit nuk u rritën pensionet…

Arti Lushi

Poezi nga Arti Lushi

Mendimi frushullen, qelbëzohet dhe merr ngjyrën e ujit të vdekur.
Kalimtarët njehsojnë hallet, pezmin; mosqenien:
Gdhendin përçudshëm vrer në vështrimet e njëri- tjetrit.
Unë…
Unë dhe turma…
Unë, turma dhe ti, duke shkëmbyer
Hijet,
Pasthirrmat,
Dhe hijet e pasthirrmave.
Bulevardi në narkozë gulçon me rrokje zymtësie metalike.
Ndryshk. Myk. Mjegull. Pusetë. Morg. Purgator. Kollitje…
Kollitje?
Ja ku u prish edhe rima.
Dhe qyteti zgjohet; nuk është më memec.
Hallet e njerëzve shkërmoqen. Riatdhesohen.
…As këtë vit nuk u rritën pensionet…
…Bardhin e nënës ma kthyen nga Greqia…
…Kryebashkiaku ynë vishet bukur, megjithatë…
…Në ç’orë vijnë dritat?…
Vetëm kaq dëgjoj.
Largohem.

*titulli i origjinalit: Tirania e një qyteti

ObserverKult

lexo edhe:

ARTI LUSHI: TRUPI IM PO VDES