Arti Lushi: Burrat më të mirë se unë

arti lushi trupi im

Poezi nga Arti Lushi

Kafen e mëngjesit e pijnë pa sheqer.
Dinë të ndërrojnë llambat e dhomës
Pa shkelur mbi ëndrrat e të tjerëve
Dhe të thonë “Faleminderit” në shtatë gjuhë të huaja.
Kanë të paktën një kredi për të shlyer.

Qokat e adetet nuk i lënë pas dore porse njohin,
Gjithashtu, kotësinë e tyre.
I duan kafshët, futbollin, veturat, të premtet.
Diskutojnë për gjeopolitikën, martesat e të njëjtit seks me po atë moskokëçarje
Që mbrun zoodiaku i ditës.

Mendojnë, si çdo brez, që edhe brezi i tyre
Është i djegur.
Nuk honepsin vulgaren te një grua;
Për çka mbetet, duhet me qenë mirënjohës.

Nuk i bëjnë naze ushqimit,
As muzikës së mirë.

Janë burra të thyer,
Krenarë, e kjo me raste e pas do gotash
i bën edhe mujsharë.

Burrat më të mirë se unë,
Pas kalçetos, e ndezin nga një teke bar,
Më tepër si një shenjë a ritual
I një jete të shkuar.

Plagët dhe keqardhjet e fisnikërojnë një burrë
E ata janë burra boll te virtytshëm
Për t’u shëlbyer nga ndonjë ves.

U thonë “Shëndet” çdo të panjohuri që tështin
E kur vjen puna te kafja e dytë,
Vështrimi u cek fundin e filxhanit
Parimi “helmi me helm del” zë vend.
Si burra të mirë që janë,
Lotët e mbetur në grykë gëlltisin,
Shkundin zbokthin e supeve,
Dhe lënë gjithmonë bakshish,
Përndrysh ç’kuptim ka të jesh burrë i mirë?!

ObserverKult

——————————-

Lexo edhe:

ARTI LUSHI: METAMORFOZA E AKILIT