Do të të hedh si dele mes ujqërve,
Më pëshpëriti ëmbël dikush,
Teksa bëja gjumin e zhagitur nëntëmujor
Në liqenin lotur me ëndrra heshtjeje-
ëndrra që s’njohën kurrë fatin e tyre, fatin e pamjaftë.
Duke i tjerrë dritën hënës u rrita
Me fjalën e Tij ujdhesë me vete
Gjeta, pashë dhe takova veç:
Kaproj fluturues;
Hije të përgjakura shelgjesh,
Kohëbjerrës të pashpresë, shprese të tredhur qysh në embrion;
Nimfa mbarsur me kollë peshkatarësh,
Mjellma pa kokë;
Diellin me thikë në dorë,
Psikologë që masturbonin ndërgjegjet njerëzore;
Xhakondat kërthizedala me pirsing;
Metropolin e zoologjikut dhe zoologjikun e metropolit;
Murgesha kryeadministratore bordellosh;
Dashuri të gdhendura ëndërrueshëm nëpër korridore spitalesh;
Njeriun me shenjë,
Njeriu në Hënë,
Njeriun që qesh;
Tik-Takun e Babilonit;
Vejushën e Kaukazit,
Cicëvyshkurat kurtizane fytyrëhequra vrik;
Inçestet e pafundme politike;
Rrugën ‘MOS KALO SOT!’,
Niçen si kryetar sindikate;
Uajlldin në burgun e Peqinit;
Patkoj fildishi në pajën e nuses shterpë;
Vogëlushin që ndjek somnambul ëndrrën e tij blu;
Siçilianen e verbër duke vjelë portokaj;
Olimpin plot me agjentë burse e matrapazë;
Bulkthin dehur nga zezonat e natës;
Njerkën buzëpërvjelur kur bërtet: ‘’Vëri llozin derës, tutkun’’;
Mitingje, skamje, silikon me shumicë
Gjithçka dhe hiçgje,
gjithçka për hiçgje, por vetëm ujqër jo…
Ah Zot, më thuaj, ç’faj kam që s’m’u zbardh lëkura rrugës?!
*Titulli i origjinalit: DASEIN
ObserverKult
Lexo edhe: