Arti Lushi: Gruaja ma dredh me njëfarë Zoltan Esterhazi…

Arti Lushi

Gruaja ma dredh me njëfarë Zoltan Esterhazi.
Atashe kulturor i Hungarisë-
Sipas terminologjisë së luftës së ftohtë,
Një eufemizëm për spiun.

Pa drojë kapen përdore në publik,
Një zakon i ngrohtë romantik.
Ai e shpie në qoshe të bukura jete-
Opera, shëtitje me tren, piknik në parajsë.
Burrë fjalëpak tjetri, burrë me substancë.
I dëgjueshëm ndaj dramave të saj gjithaq të pazëshme.

Në dhomën e gjumit, zgjedh të besoj,
Se nuk ngjet kushedi çfarë mes tyre
Dhe kjo e bën edhe më tmerruese
Besnikërinë që ajo shfaq ndaj tij.

Kureshtja për jetën e tyre i ka zënë vend xhelozisë-
Spiuni jam bërë unë tashmë.
Di që ai i gatuan me Lhasa de Selën në sfond.
Ai ia kreh flokët e gjatë
Dhe është po ai që sugjeron çfarë të veshë të nesërmen në teatër.

Pas teatrit, ata kthehen në banesë,
Gjithë heshtje nate, parfum dhe shi.
Pas teatrit, nuk më mbetet tjetër veç
Të kthehem edhe unë në shtëpi.
Me një dorë të zgjatur në terr dhe angështi
Duke ëndërruar “Ah sikur gruaja ime të ish Ajo”

ObserverKult

Lexo edhe:

Arti Lushi: Nënokja

Nënokja qe me nam të madh në atë trevë. U jepte dum punëve. Këshillonte, udhëzonte, parashihte. Ndihte ata që donin të hiqnin variçet, puçrrat, gurët e tëmthit; gjithashtu merrnin zgjidhje çështje si shkelja nga xhindët, mosmbetja me barrë, kurorëshkelja, mosmarrëveshje pronash- mendja e saj lypsej përherë.
Fuqitë e padiskutueshme të nënokes i ranë në vesh një të riu në mes të tridhjetave. Fuoristrada e tij e shpuri deri aty ku rruga qe e kalueshme. Pjesën e mbetur të rrugës e përshkoi në këmbë.
I kollarisur e tërë sqimë, sapo mbërriti te hyrja, nxorri një shami dore dhe fshiu djersët. Mori frymë dhe me këmbën e djathtë hyri brenda.

Tekstin e plotë e gjeni KETU

ObserverKult