Arti Lushi: Lulet e Shegës

arti lushi trupi im

Poezi nga Arti Lushi

Gocë bobe Eva.
Më prezantoi për të parën herë në jetë
Me birrën e zezë.

Bëhet fjalë për ‘76 ky muhabet.
Veç Udhëheqja e Bllokut e pinte asobote,
Direkt nga damixhanët frigoriferikë.

Vihej në skenë “Lulet e Shegës”
Kështu u njohëm
Kohë të turbullta.

Eva kinge
E fuste në termus birrën.
Kujdes! E këshilloja unë frikacaku.
Rri i qetë ti, më nanuriste Eva.
A thua – në mos e para- ishte gruaja e fundit në botë.

Po thoja,
Ia kaluam vërtet bukur e plot hare me Evën.
E donim si miq njëri-tjetrin;
Pa kredenciale dhe prapavijë.
Më rriti vetë dhe më bëri burrë
Në hark muajsh.

Më 1994 vjeti Zotit piqemi sërish. Te Opera.
Ajo me termusin me vete, gjithmonë.
Vazhdon ta pish? E pyeta
– Po. Por kjo është kafe amerikane veç.

* Nga “2024 anno domini” që është në proces botimi

ObserverKult


Lexo edhe:

ARTI LUSHI: TRUPI IM PO VDES