Arti Lushi: Takimi me ish-gruan do jetë i sikletshëm…

Arti Lushi

Fustanet e qepura vetë,
Flokët me këna,
Lozonjare me cianurin në dhëmballë
“Borxhe i kam vetëm mëlçisë dhe Zotit”
-thosh vjehrra ime.

Një herë nuk dija a ta mbysja me këto duar
apo ta palloja,
Kaq skrupuloze qe
Sa mund ta shpinte dramën e saj në këtë pikë.
Thonë që ishte ndër vajtojcat e para që mobilizoi edhe shoqet kur ngordhi diktatori.
E vija në lojë për këtë
Dhe ajo më përçmonte se isha artist, medemek.

Sot më njoftuan që kishte shkuar edhe ajo te të shumtët.
Mjerë xhehenemi.

Tavën e kosit e qante vjehrra
Dhe sëndukun e kish cit me korrespondencë gjeneralësh, aktorësh, sigurimsash dhe të rënësh nga vakti.

Kur pinte mjaftueshëm ponç
Shpërfytyrohej vjehrra.
Ma hapte zemrën, bëhej joshëse,
Me ftonte më vallëzim dhe fliste pafund
Por nuk ankohej.
Ngrinte getat,
Më puthte në qafë
Dhe më shtynte të shkruaja romanin e jetës.
Bënte pyetje, hamendje, demagogji emocionale.
Ishte intuitive dhe manipuluese.
Në fund, një vrimë në ujë do bësh- thonte-
Por nuk është pak. Është vrima jote.

Pasnesër bëhet varrimi.
Takimi me ish-gruan do jetë i sikletshëm
Por më duhet të shkoj
Prejse në testament, çdo gjë ma ka lënë mua.

ObserverKult


Lexo edhe:

ARTI LUSHI: SHTEGU QË PËRSHKOJ PËR TË MBËRRITUR TE AJO