“Killing Time” titullohet ekspozita më e fundit e çelur në ambientet e Qendrës për Hapje dhe Dialog (COD) në Kryeministri në Tiranë.
Punimet e piktorit Adrian Çene dhe të kuruara nga Vladimir Myrtezai, janë ekspozuar në këto ambiente për t’u vizituar nga artdashësit deri në fund të muajit gusht.
Kjo ekspozitë vjen e konceptuar në tre elementë kryesorë: në informativ, kompozim figuracioni dhe autoportret, që të zhvendosin në kohë.
Artisti, si nostalgjik që është, përdor ngjyrat e forta gati-gati kaotike dhe të kthen mbrapa në kohë duke manipuluar edhe akrepat e vetë kohës.
Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës, Eridana Çano, drejtoreshë e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, u shpreh se “Adrian Çene nuk është një artist i rastësishëm në këtë hapësirë, por rrugëtimi i tij artistik përshkohet nga etapa domethënëse, si atëherë kur kapërcente territorin e ish-republikës për t’u rikthyer tek piktura që e kishte braktisur dhe për të gjetur një liri tjetër. Në këto shtegtime dhe arrati, përkujtohet çdo rrethanë kur kapet çasti dhe ngrin në një kohë të pakontrolluar”.
“Adriani është artisti kaotik, sfidues, avangard, një shpirt i lirë, ashtu si koloritet e veta që tejkalojnë kornizat. COD e mirëpret me ekspozitën e tij të parë personale të titulluar “Killing Time” në një orvatje joakademike, ku kuratori dhe artisti Vladimir Myrtezai është kujdesur për të gjithë ekspozitën. Prania e artistit në hapësirat e COD ngre një dialog në zhvillimet e sotme jo vetëm në artet pamore, por edhe në domeinin e kulturës në tërësi”, u shpreh Çano.
Për nder të çeljes së ekspozitës edhe Kryeministri Edi Rama kishte shkruar përshtypjet e tij mbi autorin dhe veprat e tij.
Në pamundësi për të qenë prezent për shkak të axhendës, fjalët e tij i citoi kuratori i kësaj ekspozite, Vladimir Myrtezai.
“E vetmja vij ndarëse në këtë diferencë që relativizon çdo konflikt të mundshëm dhe përplasje është koha. Si artist ai ka tejkaluar distancën midis kuadrit. Ndihet njësh me artin e krijimit në një trans mendor dhe psikik, në atë lloj mënyre që vepra kryhet lehtësisht dhe udhëhiqet nga një gjendje dhe instikti i lartë. Ushqehet me frymë me spontanitet mbi kohën e arsyes së veprës që ekzekuton. Pikturat kanë afshin ndërveprues, çdo pjesë e sipërfaqes e prekur mbahet nga emocioni dhe shkarkesat e zhdërvjellëta. “Killing Time” është një titull i cili provokon. Adrian Çene është një piktor pa fjalë, nuk mbivendoset në punën e tij nga teksti dhe mbulesat e tekstit. Një natyrë që ka nevojë të zbulojë përmes shumë fjalë pasi ato janë pika të reja takimi dhe kjo i bën mirë artistit, publikut dhe kritikës së specializuar. Sot është rasti dhe momenti për t’i dhënë qendër kësaj dashurie, qoftë si përthyes dhe mohues i saj, qoftë si planprishës në një rikthim ndjesish të kohëve të lavdishme të pikturës”.
Piktori Adrian Çene falenderoi qendrën COD për mundësinë e dhënë për të ekspozuar në këtë sipërfaqe punimet e tij artistike.
Tablotë në përmasa të mëdha, një risi kjo për hapësirat e COD, impresionuan publikun me ngjyrimet e forta karakteristike të piktorit duke krijuar një atmosferë po aq të gjallë, sa edhe veprat./ATSH