Ndoshta kjo pjesë është ndër më të spikaturat e të gjithë veprës madhështorë të At Anton Harapit. Në librin e tij, ‘Shqyptari dhe bota e tij’ ai shpalos gjendjen e mjerueshme të Shqipërisë dhe mënyrë e daljes prej saj nëpërmjet bashkimit dhe bashkëpunimit. Mëposhtë vijon përgjigjja që At Anton Harapi i jep mikut të tij kur ai e pyet për Shqipërinë:
Pater Anton, ti me atë prizmën t’ande a e shef kund Shqipnin?… Kështu më shkruente tash së voni nji mik i përzemërt; kështu e di se më pyet zemra e popullit shqiptar. Ku jemi? Ku vemi?… Përgjigja duket si t’ishte e lehtë, por asht shumë e vështirë. Lufta botnore e shtini ndër gjire të veta rrëmbyese edhe Shqipnin. Kolosët ma të mdhej të botës, si – çë mos mbahet mend kurr – po gjuhen në shtjelma dhe po vriten shoq me shoq aq rreptas, sa me u dridhun fëmija në zemër të nanës. Çfarë politike duhet të ndjekim tash na mizat e voglat për të shpetue? Kush thotë se i vetmi shpëtim për ne, asht të vemi në luftë krahas me njenin a me tjetrin vigan, kurse unë mendoj se e vetëmja rrugë shpëtimi asht: të ruhemi, mos të marrin ndonjë shtjelm andej e këndej, prej njanit e prej tjetrit, dhe të bahemi të paqënun; të hupim pa shenjë, pa dukë. Ja, në dy fjalë politika për ne në këtë kohë: t’a ruejmë veten moralisht dhe materjalisht sa ma të bashkuem dhe sa ma të fuqishëm, gati për çdo eventualitet.
Sa për politikën e mbrendëshme, unë jam i bindur se gjindemi në një kaos mendimi dhe në një kontrast flagrant veprimi; dhe po të vijojmë në këtë rrugë do t’i a bajmë vorrin vetes, do t’i a vejmë kazmën Shqipnis. Ja, edhe se për ç’arsye:
1. Disorjentimi i ynë në mendim dhe në punë, fill çon në vend planet e armiqëvet, të cilët duen me na pà të humbun. Qe sot: sà kapadaì, aq rryma e aq parti!
2. Demoralizimi ynë ka vojtë ke s’ve ma: në njenën anë, aq e kemi humbun besimin në shoqishoqin, sa në mendje të shumëkujt, asht hjekë mundësija e altruizmit dhe e mirësis shoqnore. N’anën tjetër na ka ra zemra në bark; gati të thuejsh e kemi bjerrë ndërgjegjën dhe besimin në vetvehte si kolektivitet; mandej edhe sot, qi për ne asht jeta a vdekja si komb e si shtet, githnjë vijojmë në shpinë të Shqipnis, të bajm spekulacione, të krijojmë parti, të ndjekim krahinarizëm, fanatizëm, akraballëk, dhe – ma tepër se kurrgja – t’i hjekim politikë njenji tjetrit. Shpirti i Shqiptarit njitash më duket se asht lodhë përnjimend. Puna ka vojtë në të, dhe nuk ka tjetër, por njena dysh: a të bashkuem a të mbaruem.
3. Reaksjoni nacjonalist, aq për t’u lëvdue në moshën e re, filloi me të vërtetë me një ideal, por mjerisht degjeneroi në pasjon, i cili na verboi aq keqas, sa kemi sy dhe nuk shohim, kemi mendë dhe nuk bindemi se vllavrasja, qi dita me ditë po merr përpjestime në mënyrë aq të tmerrshme, ajo asht rrënimi i ynë fyzik, moral, ekonomik dhe politik.
Patëm fillue me një poezi e po e mbarojmë me tragjedi
T’i nxjerrim sytë shoqishoqit, t’i presim veshë e hundë, t’a sakatojmë kambësh e duerësh, t’a dhunojë Shqiptari Shqiptarin në mënyrën ma barbare, këta nuk asht zakon i Shqiptarit; as nuk asht ideal e nacjonalizëm, por asht egërsi, degjenerim, turp dhe faqe e zezë. Patëm fillue me nji poezi e po e mbarojmë me nji tragjedi, sa me i u dhimbtë gurit e drunit. Nuk asht dita sot të likujdojmë fajet e fajtorët; sot na duhet të bajmë nji punë të vetme: të shpëtojmë kapitalin e parë, qi asht Shqipnija dhe populli. Fajtorët mjaft t’i paralizojmë qi të mos jenë të damshëm, mandej nesër do t’i thrrasim me na dhanë arsye.
4. Rrymët e soçme po bajnë nji gabim të randë: ato po ndërlikojnë rendin, ndër ide dhe ndër punë. Susheptibiliteti i shumë-anshëm na bani të harrojmë realitetin e punës, çashtjen kombtare dhe shpëtimin e popullit, edhe jemi kapun fyta-fyt dhe po përleshemi për çashtje formash e reformash: ende nuk e dijmë me siguri ku e kemi Shqipnin, dhe kryekreje zëhemi për formën shtetnore, ende nuk e dijmë si do të përfundojë lufta për Shqipnin t’onë, dhe që me tash duem t’u vëjmë reforma Shqiptarëvet. Ja, po mbetemi pa popull, pa fshate, pa troje! Ja, po shpenzojmë mija njerëzish, miljona pasunish, të gjithë kapitalin moral e financjar shqiptàr! E po për shaka? Jo sigurisht për Shqipni, pse në këtë pikë jemi të gjithë njij mendjeje, por vetëm pse në këtë kohë, e cila asht kriza e fundit, duem t’i imponojmë, kush reformën shoqnore, kush formën shtetnore. Po a të vdekunvet, njij populli të fikun dhe të mbaruem do t’i ndjellim kohën e Arit apo Parrizin Shqiptar?!… Mos druej, djalëri: mos u frigoni udhëheqës shqiptar, idealist a shka jeni a i thoni vetes! Zot, shpëtoftë Shqipnija dhe populli, se unë ma i pari – ju a dhashë besën e Zotit – e do t’a qes kushtrimin dhe do të prij për reformën shoqnore, pse tashma e kanë pa edhe miopët shqiptarë se me systemet e deritanishme nuk kemi si të rrojmë ma në Shqipni.
5. Mbas gjithë së keq, këto janë dame dhe gabime qi shihen e dihen, prandaj mund të ndiqen e mund të ndreqen. Unë gjej shka t’admiroj edhe ndër kundërshtarë: vendimin e prem, sakrificën e qindresën. Nuk jam me ta as në parim as në metodë, as për shka bajnë e si bajnë, por atyne disi mund t’u bahet hallall , mbassi luftojnë për dishka. Por shka t’u bajsh gjysmakëvet, abstenjonistëvet, indiferentëvet, Shqiptarëvet të vdekun në shpirt, të cilët – a prej frike, a prej egoizmi vehtjak qi mos t’i qesin trazim vehtes, ku edhe për t’u mbajturn elitë edhe esnafë në sferën e atyne qi mos të deklarohen në kurrnji mënyrë, as për Qeveri, as për anarki.
Këta janë parasitët e Shqipni; për ta pasiviteti dhe negativiteti janë ideal; nuk duen të vehen në rrezik as për të zit e thonit, por të rrojnë dhe të gëzojnë në shpinën e të tjerëvet. Dobësi mendore! Dobësi mo-rale! Dobësi shoqnore! Po qe kush për plumb, pa tjetër, ata kishin me qenë ma të parët.
Në luftën e Waterloo-s i qe pariqiturn Napoleonit nji kryetar komunje, i cili, tue e deklaruem vehten asnjanës, mendoi të justifikohej. Vranje – tha Napoleoni – vënje në plumb menjiherë, pse anmiku qi të del përballë i qoftë falë, por ky qi rrin i mëshefun n’apathin e vet, ky asht ma i rrezikshëm, pse jo vetëm asht anmik, por edhe spekulator i dobët.
E mjerisht, shtatëdhjetë për qind e të Shqiptarëvet janë të tillë! Si do t’u bahet?
Çonju të dekur se na mbytën të gjallët! Çou Vaso Pashë Shkodrani, e qaj, pse nuk paska qenë për tu qà Shqipnija atëherë kur ti me shokët e tu përpiqeshit t’a shpëtojshit prej kthetravet të hueja, por sot, po sot me lotë gjaku do të dërtojmë se Shqiptarët me duert e veta janë tue rrënue Shqipnin me kulm e themel:
O moj Shqipni e mjera Shqipni,
Kush të ka qitun me krye në hì…