Nga: At Zef Pllumi
Ndërsa vitet kalonin na i ngrysnim ditët tona në burg.
Monotoni e mërzitje e pambarueshme. Pleqnia bjen me vedi edhe shumë sëmundje, jo që mâ ajo vetë asht sëmundja mâ e keqe e e pashërueshme. Thonë se i mbytuni kapet për shkumën e valëve të detit. Pritnim se ç’po ndodhë. Pritje kot. Ramja e vdekja e Beqir Ballukut nuk solli gjâ tjetër, por shtoi radhët e të burgosunve me oficera e gjenerala, të cilët, aty mbrendë, çuditeshin se si në Shqipní paskeshin kenë edhe burgje!…
Nji ditë Pater Aleks Baqli më tregon se kishte pâ nji andërr shumë tronditëse. Në qiellin e turbullt fluturim silleshin dy pëllumba. Me kurreshtje të madhe thonim: ku do të ndalen, o Zot!
U ndalën mbi oxhakun e madh të kuzhinës sonë që ishte aty n’oborr. U turrëm vrap me i pá se ç’farë ngjyra kishin dhe kur mbrritëm aty, për çudi të të gjithëve të dy pëllumbave u kishin pré krenat. Në të vërtetë as Pater Aleksi e as un nuk kishim kurrfarë besimi tek andrrat, bilè mund thom se i kishim inad. Por, ja që andrrat tronditëse të shqetësojnë. Profesor Nikollë Dakaj mbronte me ngulm Freud-in dhe teorinë e tij të “subkoshjentit” që din mâ shumë se “koshjenti”.
Ja diftova andrrën dhe ai, mbasi mendoi vetë dhe ndigjoi edhe këshillat e të tjerëve më tha:
-Zef, andrra që ka pá shoku yt asht krejt politike. Dy njerzit të përmendun të politikës shqiptare do të bahen kurban.
Por kurbanet e njerzve nuk patën kurr të sosun gjatë kohës së tiranisë. Pa u shue mirë jehona e nji spastrimi nga kryesia e Komitetit Qendror, vinte spastrimi tjetër edhe mâ i bujshëm. Këto konsideroheshin suksese dhe kështu gazetarët e rapsodët servilë këndojshin këngën “prej suksesit në sukses!”, ndërsa shkrimtarët e realizmit socialist botojshin novela e romane policeske që frymëzoheshin dhe frymëzonin kastën e hetuesve mizorë për t’i vú në jetë mbi shpinën e atyne njerzve rrezikzez që u kishte xanë rrota bishtin.
Kështu, mbas ushtarakëve erdhën në burg ekonomistat, projektuesat , përgjegjësat e tregtisë shtetnore, grupet e inxhinierave të naftës, të gjithë të quejtun sabotatorë, armiq e agjentë të shërbimeve të hueja, për të cilët u shkruen edhe vepra artistike si triptiku “Ura me tri harqe” etj. Ndërkaq na, aty mbas hekurave të burgut, kqyrshim me i lexue e kuptue ngjarjet mes hekurave të burgut, kqyrshim me i lexue e kuptue ngjarjet mes rreshtave të gazetave të Partisë, e cila, tashmâ, ishte përfshí në luftën e pamëshirshme për trashigim të pushtetit, që, pothuej përfundoi vetëm me vdekjet, gjithnji misterioze, të Mehmet Shehut, Kadri Azbiut e të tjerë shërbtorë të Partisë.
Kështu, sa herë që hidhej fjala për nji kushtetutë të ré, ose kod penal, menjiherë lindshin shpresa të reja që vijshin tue u zmadhue përherë e mâ tepër, simbas dishirit të të burgosunve, deriqë vinte zhgënjimi i madh i zakonshëm i viteve ose rrenave socialiste!…
Mbas vdekjes së Mehmet Shehut kampi u mbush me gjithfarë oficerash, kryesisht të Sigurimit të Shtetit e të Ministrisë së Brendshme.
Në jetën e burgut ata u treguen disa të mirë e disa të kqij, por në përgjithësi në jetën e tyne mbretnonte heshtja e plotë dhe njifarë frige ndaj të burgosunve të tjerë. Ndërsa ishim në kampin e Zejmenit, në nji dimën me erë të ftohtë, ra nji grip i keq aty ndër né.
Kur fishkullonte sinjali i apelit duhej të dilnim të gjithë n’oborr e me pritë oficerat e rojes, zakonisht, së paku , për nji orë. Vetëm raporti i mjekut mund të përjashtonte nga kjo orë e bezdisshme. Ndodhi nji ditë që nga dhoma jonë kishin mbetë vetëm dy vetë: Idriz Seiti nga Mallakastra dhe un. Mbasi na numroi polici, Idrizi muer me u çue prej krevatit për të shkue në banjë, që në këtë kohë ishte e lirë, por nuk e mbajtën kambët dhe u rrxue përtokë e filloi të rënkojë.
U çova menjiherë me e ndihmue. I shtina krahun se nuk e mbajshin kambët e e çova deri në banjë. Kur e ndihmova me u shtri në krevat dhe e mbulova, ai zgjati dorën, si shêj se donte me folë.
-Dëgjo, o prift, se unë të njof ty dhe njerëzit tu, sepse Lezha është për mua vendi më i dashur, përveç Mallakastrës, sepse aty më kanë lindur e janë rritur fëmijët. Zef, dua të të bëj vetëm një pyetje dhe të më përgjigjesh sinqerisht. Për çdo gjah, kush është përgjegjësi kryesor, gjahtari apo zagari.
-Nuk ka mëdyshje, gjuetari asht kryesori.
Tani gjendem në burg i akuzuar si tradhtar e ndër të tjera se paskam vepruar kundra Partisë e popullit. Të pyes: ka ndodhur që të hajë qeni të zonë? Jo kurr! Ne jemi zagarët e Partisë, pra të politikanëve që kur të jep urdhër: dua këtë, dua atë, -unë bëj detyrën time dhe ia sjell ku don ai. Se ç’don të bëjë gjahtari, zagarit nuk i interson në se don ta varë apo don ta bëjë pasha.
Ndër burgje e kampe zhvillohej ndër të burgosun nji ndjenjë e veçantë që mâ shumë u përket shtazëve se njerzve: shqyrtimi i momentit psikologjik. Qeni o macja e njofin mirë kur padroni i tyne asht në gjendje shpirtnore të mirë, bujare e të gëzueme ose kur asht i lodhun shpirtnisht, me shqetsime të mëdha ose edhekur asht i tërbuem nga inadi. Kam vu ré se shtazët shtëpijake i njofin mâ sëmiri këto situata.
Po ashtu n’atë gjendje ishim kthye edhe na. Me nji të pame dallojshim policin e mirë e policin e keq, oficerin e mirë dhe oficerin e keq, prandej edhe na mes vedit i kishim përcaktue si: Oficera të mirë e oficera të këqij.
*Shkëputur nga libri i At Zef Pllumit: “Rrno vetëm për me tregue”
Përgatiti: ObserverKult
Lexo edhe:
AT ZEF PLLUMI: TAKIMI ME ISH TË FEJUARËN E QEMAL STAFËS/ “SAKRIFICAT E SAJ PËR MUE, KURRË NUK DO T’I HARROJ…”