
Nga Esmeralda Shpata
Atara ka shtëpi dhe në shtëpinë time. Unë nuk e kam parë asnjëherë para se të kisha një ide të qartë për ç’janë gratë. Por që nga ajo ditë që them se zbulova diçka, kam mësuar çdo hollësi për të. Në një lloj kuptimi e kam përndjekur.
Ajo ecën e trembur në një rrugicë dytësore që të fut në lagje. Ka frikë mos zgjon vullnete të sëmura dhe kalon si hije. Sa keq më vjen! Është shumë e bukur për t’u fshehur. Bashkë me sytë e mi janë një lukuni sysh të tjerë, mezi presin që veç të tjerash të japë ndonjë shenjë apo shkas që t’i mbajë ca ditë në ushqim. Në këtë përçartje vullnetesh ka shumë të vërteta.
Atara ka një marrëdhënie intime me secilin, në kuptimin e keq të fjalës. Nga kjo ajo ka zgjuar te njerëzit që e rrethojnë mërira, ligësira e ndyrësi që i fshehin me kujdes dhe i shesin tek të tjerët si përkujdesje dhe përkushtim të përulur për të.
Në një dalje të vonë, u shit lirë. Në të premten e zezë Atarës iu desh të jepte shpagimin e të qenit e papërlyer deri në atë kohë. Zor se gjen vajza si ajo, para se të dilte nga mendja e secilit dhe të gjendej në një angushti të madhe. Asaj i zhvatën nga vetja atë që ishte një rrezik për më shumë se të ishte gëzim, paprekshmërinë. Të gjorën, si të gjitha gratë e gjindjes sime, dhe ato vetë për ironi, e tallën, e poshtëruan dhe e dëbuan nga të qenit e pëlqyeshme.
Atara ka mbetur një copë e çarë gruaje midis zhgërdheshjes dhe turpit. Ajo ishte mendimi i vjetër sa bota për të pastrën. Atara ishte natyrë. Ajo tashmë ka një marrdhënie intime vetëm me veten. Unë dua t’i gjendem pranë në këtë gjendje që është. Me kastin e vjetër, për të shpëtuar maskën që jam, se edhe unë dua shumë që Atara të vuajë.
ObserverKult
Lexo edhe:






