Mos u besoni atdhetarëve të rrejshëm!
Ata janë maskarenj të zakonshëm.
Ata fshehin thikën që ngulet në shpinë pas një përkëdhelje.
Nga Salajdin Salihu
Rri larg sepse je mjeti i qëllimit të tyre!
Të marrin në qafë dhe të njollosin.
Çmimin e ligësisë së tyre gjithmonë ti do ta paguash.
Ata janë atdhetarë me pagesë.
Rri larg atyre që përmendin shpesh fjalët “patriot” e “tradhtar”!
Atdhetari i vërtetë nuk kërkon protagonizëm.
Atdhetari i vërtetë nuk bërtet ta dëgjojë pazari.
Atdhetari i vërtetë punon në heshtje.
Atdhetarit të vërtetë këngën e trimërisë ja këndojnë të tjerët.
Atdhetari i vërtetë është si ajo flutura te tregimi i Attarit, që i afrohet aq shumë zjarrit sa digjet në të.
Atdhetari i vërtetë udhëhiqet sipas kryefjalës së Ismet Totos: “Bota nuk është e atyre që ngrohen, bota është e atyre që digjen”.
Atdhetarët e rrejshëm vetëm të djegin.
Mos u trazoni kur ata u akuzojnë për “mungesë patriotizmi”!
Mos u dëshpëroni kur u quajnë “tradhtar”!
Kanë akuzuar shumë më të ndershëm, më atdhetarë dhe më të paepur se sa ju.
Valëvitësit e flamujve të patriotizmit fshehin diçka.
I akuzojnë të tjerët për mëkatet e tyre.
Kush janë ata që të thirren në emër të gjithë kombit?
Kush ua dha këtë të drejtë?
Kush e bëri kombin pronë të tyre?
Bëni kujdes kur u flasin për projekte madhore kombëtare!
Prapa tyre është një djall që e shtyp sustën.
Kur jeni pranë tyre mos kërkoni të dini shumë!
Mund të zbuloni gjëra që ju rrezikojnë.
Mos u kërkoni mendime për profesionet e tyre!
Nuk kanë asgjë për të thënë.
Krejt çka dinë është valëvitja e flamujve të rrejshëm të patriotizmit.
Ata flasin me “ne”.
Asnjëherë nuk vuajnë.
Bëjnë thirrje për flijim të bijve të huaj.
Ktheni kokën mënjanë kur u flasin për “dhembje krenare”, “për heronj që lindën për të mos vdekur kurrë”, “për ardhmëri të ndritur”!
Ktheni kokën mënjanë kur u flasin për “trimëri” e “dinjitet”.
Atdhetarët e rrejshëm diktohen lehtë.
Janë sipërfaqësor.
Rrotullohen te të njëjtat ide e fjali.
Janë mjeshtër parrullash.
Thirren kudo në atdhetari dhe ideale kombëtare.
E duan paranë.
E bëjnë pronë çdo proces kombëtar.
E instrumentalizojnë çdo betejë.
Të akuzojnë për mungesë trimërie.
Duan me çdo kusht të jenë pjesë e historisë.
E shkruajnë historinë sipas tekave të tyre.
Ata i shihni nëpër tubime folklorike.
I përmendin heronjtë e dëshmorët e kombit ku(r)do.
Hiqen si miq të tyre të dikurshëm.
Nuk e pëlqejnë poezinë e dashurisë.
Nuk pëlqejnë asnjë muzikë, përveç asaj folklorike.
Nuk kanë sens për humor.
Nuk janë tolerantë.
Merren me teori konspiracioni.
Flamujt e tyre i valëvit një erë e huaj…/
ObserverKult
*Titulli i origjinalit: “Atdhetarët e rrejshëm”
Kliko edhe: