Audio-guida mundëson informacion në 2 gjuhë në pavijonet e Muzeut Historik

Që prej datës 18 maj në Muzeun Historik Kombëtar është bërë i mundur projekti i audio-guidave të cilat do t’i shërbejnë tashmë të gjithë turistëve vendas por sidomos atyre të huaj të cilët nëpërmjet pajisjeve elektronike sikurse janë tabletat të kenë mundësi që të marrin të gjithë informacionin e nevojshëm.

Përkohësisht janë vetëm dy gjuhë, si shqip dhe anglisht me të cilat mund të merret ky shërbim nëpërmjet tabletave të pajisura me kufje, por drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, premton që shumë shpejt do të bëhet e mundur edhe futja në menynë e sistemit edhe e gjuhë të tjera si frëngjishtja, italishtja dhe gjermanishtja.

“Tashmë janë rreth 60 tableta që shërbejnë për t’i ofruar turistëve këtë shërbim. Ky numër është i mjaftueshëm nga të cilët përbëhen edhe numri maksimal i personave që e vizitojnë njëherësh këtë muze”, është shprehur drejtori i muzeut, Dorian Koçi.

Gjithashtu ai shtoi se audio-guida të jep mundësinë të ndjekësh atë pjesë që dëshiron, pra, nga pavijoni i parë mund të kalosh në atë të tretë e kështu me radhë.

Në brendësi shfaqet një meny me pesë kategori, ku një prej tyre, “Turi në Muze”, vë në dispozicion pavijonet./ATSH

LEXO EDHE: Brenda muzeut të Bankës së Shqipërisë, ‘udhëtim’ në historinë e monedhave shqiptare