
(Vëllimi poetik “Parajsë e nëmur”, Armagedoni, Prishtinë, 2019)
Nga Avni Alija
Ftesa
Vijnë nganjëherë në këtë botë poezi me ftesën jo vetëm për t’u lexuar. Ato vijnë me ftesën për një takim e njohje jetëgjatë me lexuesin e studiuesin. Është një ftesë për bashkëbisedim, për mejtim e për reflektim. Kriptë shpirti e Sadik Krasniqit u përket atyre teksteve që i shmangen çdo leximi interpretativ në kuptimin formalo/koncepcional. Ato kërkojnë një të afruar plot dinjitet, një vëmendje ndryshe e një sprovë prekjesh subtile në përmbajtjen e mesazhin që ndryn teksti i tyre. Dinjiteti i saj nuk qëndron në patos, por në konsekuencën e heshtur me të cilën përshkohet një përvojë ekzistenciale. Një qasje eseistike ndaj një poezie të tillë nuk lejon të qëndrojë mbi të në mënyrë shpjeguese, por do të duhej të ecte pranë saj.
Kjo poezi mban brenda vetes më shumë sesa shpreh. Ajo hap një hapësirë që nuk kërkon të mbushet, por të përjetohet. Vështrimi në vijim është një përpjekje për të ecur brenda kësaj hapësire, pa e matur dhe pa e ngushtuar.
Të dalësh nga brendësia e shpirtit/ si nga vetmia e varrit me dritë/ e të mos kesh parë asnjë demon/ është si t’i prekësh me gishtërinj lulet e parajsës/ me Hyjin pranë që të prekë në krah/ e vdekjes t’ia shkelësh syrin duke buzëqeshur/ pa të shkuar mendja te pendesa e të rrëfyerit të mëkatit/ prapa perdes së zezë
Pragu hermetik
Titulli Kriptë shpirti nuk është një emërtim i thjeshtë, por një lloj përqendrimi kuptimor kristalin. Kripta, në kuptimin arkitektonik, është një hapësirë e fshehur, sakrale, nën altar, vend i heshtjes dhe i afërsisë me vdekjen. Shpirti, përkundrazi, shenjon të gjallën, të lëvizshmen, të pakapshmen e brendësisë njerëzore. Bashkimi i tyre krijon një tension: e gjalla e fshehur, e përbrendësia e futur edhe më thellë në sfera të paarritshme kognitive.
Ky bashkim nuk është shtesë, por shndërrim. Kripta nuk bëhet varr i shpirtit, por vetë shpirti konceptohet si hapësirë ku mund të hyhet dhe të dilet prej saj. Që në titull projektohet një topografi që poezia e përvijon me konsekuencë në vargjet e saj.
“Të dalësh nga brendësia e shpirtit” është një procesualitet i parëndomtë, i padëgjuar, një përthyerje ontologjike. Ajo e fton lexuesin të përfytyrojë një lëvizje që bie ndesh me çdo logjikë të përditshme. Rëndom, rruga harkore drejt shpirtit mendohet si zbritje, si thellim; këtu, përkundrazi, imagjinohet dalja prej tij. Ky varg funksionon si një prerje në rendin e njohur e të perceptuar të nocioneve. Është varg‑çelës, që e prish ndjesinë njohëse të lexuesit. Pikërisht këtu qëndron forca e tij poetike. Në kuptimin neoformalistik, kemi të bëjmë me një tjetërsim të vetëdijshëm të perceptimit: modelet shënjuese shpërbëhen për t’i hapur rrugë një përvoje tjetër.
Figura e “varrit me dritë”: Varri shndërrohet në hapësirë kalimtare, në prag. Vetmia e tij nuk është braktisje, por kusht për lëvizje. Vdekja nuk paraqitet si mbyllje, por si fazë e domosdoshme e një procesi të brendshëm. Vargu i „varrit me dritë“ kërkon një lexim të shtresëzuar. Varri me dritë është një oksimoron i qetë, jo tronditës. Ai është një pezullim kuptimor, ndonëse krijon përshtypjen e një tundimi estetik.
Në këto vargje të „varrit me dritë“, dëftohet një Un lirik ambiguativ; një prezencë epistemike e depersonalizuar, pothuajse në rolin e të reprezentuarit funksional të një dilemate universaliste.
Prandaj, “varri me dritë” shtyn dhe zgjeron nga të nënkuptuarit individual në hapësirën e një të lexuari universal; jo vetëm autobiografik në kuptimin rrëfimor. Ai shënon një lloj gjendjeje të vetëdijshme pas konsumimit të iluzioneve. Uni lirik është një subjekt që nuk ka kërkuar as kërkon shpëtim, uni lirik këtu shpërfaqet në dimensionin e të një pozicionuari ekzistencial.
Një nga pohimet domethënëse të poezisë është se në harkoren e nëpërkalimit të unit lirik nga brendësia e shpirtit nuk shfaqet asnjë demon. Kjo mungesë nuk është detaj anësor, por një zbrazëti qendrore. Poezia heq dorë nga dramatika e konfrontimit moral dhe metafizik. Kjo zbrazëti krijon një tension të veçantë. Frika që pritet të shoqërojë kalimin nuk konfirmohet. Rruga mbetet e hapur. Në këtë mungesë fshihet një qetësi apostolike.
Gjesti i prekjes së luleve të parajsës me gisht është jashtëzakonisht i brishtë. Nuk ka zotërim, nuk ka mbërritje përfundimtare, por vetëm kontakt. Parajsa shfaqet si mundësi, jo si destinacion. Kjo skenë i shmanget çdo monumentaliteti. Ajo është e qetë, gati e rastësishme, dhe pikërisht këtu qëndron dinjiteti i saj. Parajsa nuk pushtohet, por preket lehtë dhe lihet pas.
Kur subjekti lirik i shkel syrin vdekjes duke buzëqeshur, nuk kemi të bëjmë me një provokim. Kemi të bëjmë me qëndrim. Vdekja venerohet si prani, por jo si autoritet absolut. Kjo buzëqeshje nuk është triumf, por ekuilibër. Ajo shënon një pikë ku kundërshtitë – jeta dhe vdekja, frika dhe qetësia – nuk përplasen më.
Poezia refuzon në mënyrë të vetëdijshme aktin e rrëfimit pas perdes së zezë. Me këtë, ajo del jashtë logjikës së fajit, pendesës dhe llogarisë morale. Kalimi nëpër hapësirat e brendshme ndodh pa ritual rrëfimi.
Ky refuzim është thelbësor. Ai e zhvendos poezinë nga një dimension interpretativ në një dimension ekzistencial.
Në tërësinë e saj, Kriptë shpirti mund të lexohet si një lëvizje në tri akte: dalja nga brendësia, prekja e parajsës, përballja me vdekjen. Kjo renditje nuk krijon kulm dramatik, por zhvendosje këndvështrimi.
Çdo akt relativizon tjetrin. Poezia nuk ecën drejt një qëllimi, por përshkon një hapërim harkor, zhvendos perspektiva të reja dhe mbetet e hapur. Në këtë akt qëndron konceptualisht dhe mbyllja e saj formale.
Rezonanca jungiane
Në dritën e psikologjisë analitike të C. G. Jungut, poezia mund të lexohet si moment i një procesi individuacioni. Individuacioni nuk nënkupton përshtatje, por formësim të vetvetes përmes integrimit të kundërshtive të brendshme. Subjekti lirik nuk përballet me forca të jashtme, por kalon pragje të brendshme. Dalja nga shpirti nuk është humbje, por zgjerim. Poezia shfaqet kështu si protokoll i një kalimi të brendshëm, pa u fiksuar në gjuhë psikologjike.
Nga perspektiva neoformaliste, Kriptë shpirti është një tekst që e vështirëson qëllimisht perceptimin për ta interpretuar atë. Është një tjetërsim poetik me tendencë dendësimi të të përjetuarit estetik. Figuracioni i parëndomtë, përthurjet e kompozitave dhe përmbysjet e koncepteve hapësirë/kohë, objekt/subjekt, induksion/deduksion, krijojnë një tronditje permanente, veçan në etapën e mejtimit mbi poezinë.
Ky tjetërsim nuk është qëllim në vetvete. Ai i shërben çlirimit të lexuesit nga modelet automatike të interpretimit dhe e fut atë në një proces aktiv të përjetimit estetik. Poezia kërkon lexim të ngadalshëm, rikthim, heshtje.
Kriptë shpirti vjen në këtë në këtë botë të bashkëjetojë me lexuesin. Vetëm në aktin e leximit ajo përjetësohet. Zbrazëtitë, sugjerimet dhe figurat e hapura e aktivizojnë sa imagjinatën po aq edhe procesionin meditativ të lexuesit e studiuesit. Lexuesit i bëhet ftesë të përfshihet brenda tekstit. Ai kalon të njëjtat pragje si subjekti lirik. Në këtë kuptim, poezia është një ngjarje ndërsubjektive. Poezia në këtë momentum nuk bën ftesë; ajo është vetë, si e atillë, një ftesë.
Në intensitetin e saj të qetë, Kriptë shpirti afrohet me ato poezi që më shumë evokojnë sesa tregojnë. Mund të kujtojë, pa u bërë epigonale, dendësinë figurative të Paul Celanit apo sugjestionin ekzistencial të Frederik Reshpjes. Ajo qëndron megjithatë e pavarur në konceptimin formal dhe në përmbajtjen e saj.
Në fund nuk përfton ndonjë impuls i një doktrine të mbyllur, as një mesazh i prerë. Kriptë shpirti lë pas një përvojë. Ajo është kalim, prag, ndodhi që realizohet në lexim dhe vazhdon të veprojë më pas.
Janar, 2026
ObserverKult
Lexo edhe:






