Azem Shkreli: Koha e krymbave

Dalin kryezezë, kryeverdhë, nga vullnet i vrimave
Turren terr në sy, myshqeve, mendimeve, muranave
Trup e tërthori u bien trupave të palëndshëm
Sa marrin trok lëngatave, sa kalirojnë ligësive
Lakmojnë krymbas, zbirojnë, gropojnë, krymben
Në kenaqesi të zeza, gëzohen zi, cimbojnë me të zezë
Marshim i jargët i tyre zvarret tryezave, shikimive
Bien në dy gjunjë, luten të marrë mot i lemashekët
Hipin shoq me shoq dhe shpallin kremten e krymbave
Shih si levrijnë, si i shtyn me gisht të madh koha
Shenjti i Shënkoll, po tallemi apo na mori krymbëria?!