Azem Shkreli: Natën e mirë mundime

azem shkreli

Natën e mirë, asgjë s’mundi të ndodhi
Gjithë ditën, mezi qe premte, mezi lindi
Pak diell vonë pas drake sa të jetë
Data katërmbëdhjetë, sa të flenë
Mbi barin e urtë të Tafë Toskës
Xixillonjat. Natën e mirë mundime
Sendesh të vogla, flini. Unë sonte
Vetëm do ta vë një gur fjale nën kokën
E lodhur të ditës, vetëm një të verdhë
Do të derdh për shëndetin e bimëve
Të verdha se asgjë s’mundi
Të ndodhi pos të jetë e premte sa të flenë
Mbi barin e urtë të Tafë Toskës
Xixillojat. Datë e lënguar, nëse fyshkës sate
S’do të përshkohem lakuriq si krymbi
Datë e lënguar, po të lë mes numrash
Harrimit po të lë dhe vetë po nisem
Një mendimi që s’na fle moshën të premteve.

*Titulli i origjinalit: Nga ditari i të premtes

ObserverKult

—————————————————

LEXO EDHE: 10 PERLA POETIKE TË AZEM SHKRELIT: SHKO SE FURISHËM PO FRYN NË MUA ERË MALLKIMI QË S’TË FAL…

Buqetë me poezi të zgjedhura të bardit Azem Shkreli.

NË VEND TË PËRSHËNDETJES

Shko se furishëm po fryn në mua erë mallkimi që s’të fal.
Dhe, dije mirë, kurrë më një e një nuk bëjn’ një si thonte Hikmeti, ai farë poeti me këngë prej zjarri.

Shko merri me vete lutjet tua, edhe hijen tënde hiqe zvarrë rrugëve si gjënë e ndyrë.
Mos u kthe pas.
Mos i harro sytë e përlotur në shtekballin tim.
Mos thuaj lamtumirë.
Asgjë mos thuaj.
Merri me vete gjurmët nëpër të cilat erdhe një natë më e përvuajtur se frika dhe hyre në mua.
Shko dhe bëhu fjalë e mbrame n’gojën time.
Bëhu shkrepëtirë e fikur n’ylberin e shkrimit tim.
Bëhu çdo gjë pos Meje e Teje dhe asaj që e quajtëm Ne kur i zinim yjet si fluturat e ua ngjisnim nganjë emër mos ta harrojmë emrin tonë.
Shko, merri me vete edhe rrugët, të mos kthehesh kurrë në vesën e lotit të rrejshëm, gërmadhat e kujtimit t’i rrëzosh.

Shko, mbyllu në do kështjella të largëta harrimi, ku s’të zgjojnë më këmbonat e pendimit kur çmendet mallit vetmia ose kur buza buzën e han n’pikllim, që mëkatin s’e lan, që s’mundet ta shpojë Gurin e rëndë, gurin e ftohtë të ndarjes.
Shko, më mirë dhe hesht. Mos u kthe mbas.
Mos i harro sytë e përlotur n’shtekballin tim.
Mos thuaj lamtumirë.
E kur t’shkojsh larg, më larg se prej blerimi n’blerim,
E kur t’shkojsh larg, më larg se prej zemre në zemër,
Aq larg sa ta harrosh edhe emrin tënd dhe zërin tim, fshihu prej vetes,
Shkurto flokëgjatat, mate me to mendjeshkurtrën tënde dhe mos qaj.
Shko se tmerrshëm po lodrojnë sonte n’mua rrëket e gjakut të ndezur.

POEZITË TJERA MUND T’I LEXONI KËTU