Azem Shkreli: Para elegjisë

10 perla poetike të Azem Shkrelit: Shko se furishëm po fryn në mua erë mallkimi që s’të fal...
Azem Shkreli

Poezi nga Azem Shkreli

Një ditë do t’i marrësh në gji
gjethet e rëna të stinëve të tua
dhe do të kërkosh kot veten
shtigjeve të harruara të një moshe
e nuk do të kesh më as flokë ere,
as shikim ylberi ta matësh fillin
dhe fundin e mashtrimit tënd të shkurtër.

Një ditë do t’i shpalosh vjetët tua
si pajën e nuses së vdekur
e do të numrosh fluturat e shkuara
t’agsholeve t’prenduara
e s’do të kesh më as zjarr në buzë,
as lot në sy të qeshën ngrohtë,
të qajsh rrejshëm dhe t’i mahnitësh
djelmoshat.

Një ditë do t’i hash buzët e tua,
gjurmët e tua do t’i pështysh
dhe secilin muzg do ta pagëzosh
me nganjë pendim që dhemb
e s’do të kesh më as sy deti,
as hap të hedhur sorkadheje
të shohësh si t’përqeshin gonxhet
dhe të ikësh prej hijes sate.

Ruaju, moj se vashat më të bukura
i vret bukuria e vet.

ObserverKult

——————-

Kliko edhe:

10 PERLA POETIKE TË AZEM SHKRELIT: SHKO SE FURISHËM PO FRYN NË MUA ERË MALLKIMI QË S’TË FAL…

Lexo edhe:

AZEM SHKRELI: KOHA E KRYMBAVE

azem shkreli

Dalin kryezezë, kryeverdhë, nga vullnet i vrimave
Turren terr në sy, myshqeve, mendimeve, muranave
Trup e tërthori u bien trupave të palëndshëm
Sa marrin trok lëngatave, sa kalirojnë ligësive
Lakmojnë krymbas, zbirojnë, gropojnë, krymben
Në kënaqesi të zeza, gëzohen zi, cimbojnë me të zezë
Marshim i jargët i tyre zvarret tryezave, shikimeve
Bien në dy gjunjë, luten të marrë mot i lemashekët
Hipin shoq me shoq dhe shpallin kremten e krymbave
Shih si levrijnë, si i shtyn me gisht të madh koha
Shenjti i Shënkoll, po tallemi apo na mori krymbëria?!

ObserverKult

Lexo edhe:

Azem Shkreli: Për një popull, koha më e ligë është koha e mediokërve!