Aziz Nesin: Na erdhën shokët e babait… nëna po qante…

aziz nesin

Ankara, 26 nëntor 1963

Vëlla Ahmet!

Të lutem, më shkruaj gjithnjë letra të gjata si e para. Ishte letër që e lexova me një frymë. Ua lexova edhe nja 2-3 shokëve të klasës. Qeshën aq shumë, sa…
meqenëse moti u ftoh shumë, nuk lozim më në sheshin e pallatit. Sa vij nga shkolla , përgatis mësimet, ndihmoj pak nënën.

Motrës së madhe nuk i pëlqejnë punët e shtëpisë. Nuk i sheh me sy. Vetëm i digjet shpirti që të hyjë në kuzhinë, sepse, kur hyn nëna do të paktën një javë për të gjetur sendin që kërkon.

Motra e madhe na ishte duke u fjetur, por më vonë hoqi dorë. Në këto ditët e fundit, kjo ishte tema më e rëndësishme në shtëpinë tonë. Prishja e fejesës u bë shkak i këmbënguljes së vëllait të vogël, Metinit, i cili nuk e deshi këtë fejesë.
Pasdreke te ne vinë fqinjët, që kanë qenë në një klasë me babanë, dhe ne shpesh ua kthejmë vizitën.
Kjo bëhet të paktën dy herë në javë. Më shumë se çdo gjë tjetër bisedohet për Zenelin. S’ka orë që të mos zihet në gojë emri i tij. Zeneli është pronar i fabrikës ku punon babi së bashku me shokët e klasës. Nëna shpesh u thoshte:
– Lëreni tani këtë Zenel. S’keni gjë tjetër të bisedoni? – Ata ndryshojnë muhabetin, por, pas pak, venë nga venë e kthehen përsëri te Zeneli.
Zeneli paska disa punishte, qenka shumë i pasur. Pasuria i shtohet ditë për ditë. Ka qenë aq i trashë nga koka, sa mezi mbaroi shkollën fillore. Një nga shokët e klasës së babait dhe bashkëqytetar me Zenelin tregon:
– Ai është dhjetë vjet më i madh se ne. Kur ishte në klasën e tretë, unë fillova klasën e parë, bëni hesap tani se sa vite ka që ka filluar shkollën; ndërsa, kur mbarova shkollën fillore, ai ishte në klasën e katërt. Shkokët talleshin me babanë e Zenelit: Djali yt patjetër do të dalë nga shkolla fillore drejtor, sepse, kur ishte në shkollën fillore, i kishin dërsirë mustaqet. Një ditë kishte ardhur në klasën tonë inspektori. Ai, duke kujtuar se Zeneli ishte mësuesi dhe mësuesi nxënës, i thotë: “Ulu në vendin tënd”, – dhe i tregon karrigen. Ja, një djalë i tillë ishte. E kishte kokën pa tru.
Babi herë pas here thotë:
– Se mos ka ndryshuar tani, më beter është.
E çfarë nuk u thanë për Zenelin. Se është nga kokëtrashët më të rrallë që nxori në këtë shekull vendi ynë, se është kampion i budallallëkut, që nuk i ngjan asnjë gjëje në rruzullin tokësor e të tjera.
Një ditë babai i vet i kishte thënë Zenelit:
– Ti, duke mësuar, nuk do të bëhesh kurrë njeri. Të paktën puno pranë meje, hyr në tregëti.
Zeneli i kishte hyrë me qejf të madh tregëtisë dhe as tani s’i ndahet. Është pasuruar që ç’ke me të.
Sipas atyre që e njohin, qenka dembel i madh, parazit. Por paska një zotësi të madhe për të shfrytëzuar punën e tjetrit. Në punishten e tij punojnë shumë arkitektë, inxhinierë, avokatë,doktorë të njohur.
Babi shpeshherë grindet me vete.
– Ne mësuam, punuam dhe në fund çfarë u bëmë? Me vështirësi gjetëm punë dhe pranë kujt?
Pranë Zenelit.
Për të treguar paditurinë e Zenelit tregohen shumë ngjarje. Njëherë Zeneli, së bashku me një nga drejtorët dhe sekretarët e tij, kishte shkuar në Holandë dhe kishte qëndruar një kohë të gjatë. (Në turqishten e vjetër, Holanda quhej Felamek, por më vonë krahas saj përdorej dhe fjala Holandë).
Një ditë Zeneli i thotë shoqëruesit:
– Ky Felameku më pëlqen shumë. Dëshiroj të shkojmë të shohim Holandën, të cilën ma kanë lavdëruar shumë!
Në një udhëtim, kur mësoi se vendi ku kishte shkuar, ishte Lehistani (Lehistan quhej Polonia prej turqve), u habit shumë!
– Paskemi ardhur në Lehinstan, domethënë paskemi ardhur gabim. Do të shkoj një ditë për të parë Poloninë.
Një mbrëmje, përsëri po vinin në lojë padijen e Zenelit. Papritur u përzie edhe Metini:
– Kur qenka kaq budalla dhe kaq i paditur, atëherë si u pasurua? – Nëna ia ndërpreu fjalën:
– Në bisedat e të mëdhenjve nuk përzihen fëmijët.
Metini pushoi. Babi, duke parë se ishte i nevojshëm sqarim tha:
– Ti këto biseda nuk i kupton.
Një ditë motra e madhe u fejua me djalin e Zenelit. Më saktë, nuk u bë fejesa, por dhamë fjalën.
– Ti e ke parë motrën time. Nuk më ngjet mua, domethënë unë nuk i ngjas asaj. Motra ime është shumë e bukur.
Neve për këtë fejesë as që na treguan. Bile as motra s’na tregoi, por e kuptuam nga biseda e tyre. I pari e kuptoi Metini. Atmosfera në shtëpi kishte ndryshuar. Nëna, duke punuar, kishte filluar të këndonte, ndërsa motra përpiqej të fshihte gëzimin e saj, megjithëse e tradhtonte fytyra.
Një ditë Metini më thotë:
– E di ti që motra e madhe po fejohet?
– Epo mirë, – iu përgjigja.
– Me djalin e Zenelit.
Ai u nxeh, se nuk i thashë asgjë.
– A nuk e kupton? Do më vërsulesh mua?
– Hëm, edhe ti qenke me ta?
– Mua s’më përket të përzihem në këtë punë.
Metini vetëm me mua merrej vesh me shumë se me pjesëtarët e tjerë të familjes.
– Si nuk përzihesh? Si nuk të takon? – thirri i nevrikosur. – Unë nuk dua dhe kjo gjë nuk do të bëhet!
Meqenëse nuk po i jepja përgjigje, për të mos u nxehur më shumë ai shtoi:
– Zenelin gomar e ngrenë, gomar e ulin dhe tani kërkojnë të martojnë motrën me djalin e gomarit. A shkon kjo?
– Ç’faj ka djali për babanë?
– Haa… si? Qenka punë e thjeshtë kjo? Ky as liceun s’e mbaronte dot dhe babi i tha: “Mos shko më në shkollë, sepse të prishet mendja dhe s’bëhesh njeri i punës”. Pse gënjeshtra janë këto? A nuk i treguan shokët e babait?
– Shiko se mos i dëgjon nëna këto. Të mëdhenjtë mendojnë më mirë se ne, – i thashë.
Metini gati sa s’qante.
– E di, edhe ti je me ata, edhe babanë e kam inat.
– Përse?
– Përse thotë! Nga një anë s’lë gjë pa thënë për Zenelin, nga ana tjetër punon pranë tij. A shkon kjo?
Më ktheu kurrizin dhe shkoi që të mos e shihja që po qante. Kur tha rrokjet e fundit, i dridhej zëri.
Prej asaj dite, Metini u bë një fëmijë tekanjoz, qaraman. Filluan të vijnë letra nga shkolla. Në shkollë bënte prapësira, nuk përgatiste mësimet. Babai u shqetësua shumë. E këshilloi disa herë. Një herë edhe e rrahu. Por, pa dobi. Përsëri largohej nga shkolla. Nëna e çonte çdo mëngjes deri në shkollë, por ai largohej nga dera e pasme e shkollës. Kur babi bisedon urtë e butë me të, ai ul kokën dhe rri si mumje.
Një ditë kërkova të mësoj hallet e tij.
– Ti s’merr vesh nga këto punë, – më tha me një qëndrim prej burri.
Nga ky qëndrim i Metinit, në shtëpi s’na hynte asgjë në sy. Nëna shpesh herë qante. Babi rrinte më ftyrë të vërenjtur.
Një mbrëmje, megjithëse ishte errësuar, Metini s’po kthehej në shtëpi. Të gjithë u derdhën në rrugë për ta kërkuar. Kontrolluam të gjitha vendet ku shkonte vazhdimisht. U kthyem në shtëpi. Na erdhën shokët e babait. Nëna po qante. Biseduam se ku mund ta gjenim. Trokitën në derë. Vrapuam menjëherë te dera. Ishte Metini s’po trembej më nga babai.
Shokët e porositën babanë që të mos e shante. Ky nuk foli fare. U suall me të sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Pas pak, babi mori mënjanë Metinin dhe filloi ta këshillojë ëmbël e ëmbël:
– Djali im, në qoftë se nuk shkon në shkollë, në qoftë se nuk përgatit mësimet, s’ke për t’u bërë njeri.
Njeriu sa më shumë të punojë, aq më shumë do të fitoj, aq më mirë do të pushojë…
këto ishin këshillat e zakonshme. Edhe shokët e babait në këtë mënyrë e këshilluan.
Ai që punon në jetë, fiton… Rruga e fitores është puna, gjithmonë të punosh.
Metini mbante kokën ulur, ishte vrenjtur në fytyrë dhe heshte. Pas pak ngriti kokën.
– Ai që punon, çfarë fiton? – tha.
– Sa më shumë që të punojë, aq më shumë do të fitojë.
– Ata që punojnë, a fitojnë sa Zeneli?
U bë qetësi. U kuptua se çfarë donte të thoshte Metini. Pastaj babai, duke zbutur zërin, tha:
– Edhe ne, një kohë kemi qenë fëmijë dhe e kalonim kohën me çështje të fëmijërisë… po, kur ishim fëmijë…
Metini i ndërpreu fjalën babait.
– Ai që s’punon, fiton më shumë…
Babi u nxeh.
– Domethënë, ti thua se babi yt gënjen, – ngriti zërin.
Metini filloi të qajë. Fjalët përziheshin me ngashërime.
– Ju s’thoni të vërtetën. A nuk jeni ju që çdo mbrëmje thoni se Zeneli është dembel, kokëkungull, i pagdhendur, budalla? Se ai ka fabrika, shoqëri tregime, punishte magazina, automobila, pallate… Se edhe i biri nuk ka mësuar si i ati?
Në të njejtën kohë qante dhe tregonte me ngashërim.
– Unë tani e tutje nuk do të shkoj më në shkollë. Do të bëhem më i pasur se Zeneli. Do të bëj që pranë meje të punojnë më shumë njerëz se prania atij. Do t’ju jap punë njerëzve të ditur, punëtorë dhe që kanë shkollë.
Metini shkoi në dhomën e gjumit, por fjalët dëgjoheshin nga brenda.
Babai, me sy të përlotur, e këshilloi:
– mirë, djali im, bëj si të duash. Në qoftë se s’do të shkosh në shkollë, mos shko!
Pastaj u tha shokëve:
-Nuk duhet të ngulim këmbë.
Nëna shkoi në dhomën e gjumit, e mori dhe e çoi Metinin të lante fytyrën.
-Gabimi ynë është se ne bisedojmë çdo gjë para fëmijëve. Nuk duhet vepruar më kështu, – tha një shok i babait.
Gruaja e këtij që foli, i bëri me shenjë të shoqit për mua.
Ndërsa një shok tjetër i babait tha:
– Ndoshta djali mund të ketë të drejtë. Ne mësuam kaq vjet dhe përsëri mezi gjetëm punë.

Këtë sjellje të Metinit e kuptuan nëna e babai. Ai bënte për shkak të fejesës së motrës me djalin e Zenelit.

Pas disa ditësh u hoq dorë nga fejesa. Motrës i gjetëm një punë. Ishte mërzitur nga papunësia. Me sa duket, edhe ajo s’e kishte me qejf këtë fejesë. Tani kuptoi se do të ishte më e pavarur. Metini, pasi u zbrazë mirë e bukur, filloi të shkojë në shkollë si më parë. U bë i sjellshëm e punëtor si më parë. Meqë s’u bë fejesa, ai shikoi veten më me përgjegjësi. Tani është më i qetë. Mësimet i përgatit si më parë. Në shtëpi u pajtua me të gjithë, përveç meje. Rri i zemëruar. Kujton se nuk i dhashë të drejtë.

Megjithatë unë isha me të por s’mund të sillesha si ai. Kam besim se kjo gjendje nuk do të vazhdojë gjatë.
Këtë letër e kam shkruar pasdreke. Më vjen gjumë. Tani do të fle. Nesër është e diel. Nëna do të më çojë mua dhe Metinin në teatrin e fëmijëve.
Nuk kam harruar asnjërin prej shokëve të klasës, shpesh i kujtoj, kur shoh fotografitë që kemi dalë bashkë.

Jepuni të fala shoqërore të gjithëve.
Të uroj suksese të njëpasnjëshme.

Shoqja jote
Zejnep Jallkër

E përktheu nga turqishtja: Petrika Thëngjilli

*Shkëputur nga libri “Fëmijët e sotëm”, Aziz Nesin, Mësonjëtorja, Tiranë 1999

Përgatiti: ObserverKult

————————-

Lexo edhe:

KRIST MALOKI: NDOSHTA NUK KUPTOJM’ SHKA DO ME THANË “POET” E FLASIM N’ERË…

Nga Krist Maloki

Paralel me gjendjen dhe rjedhjet sociale qindron edhe literatura e jonë e shkatrueme. Pa një drejtim, pa një qellim të perbashkët – mbasi u shterp edhe lopa e patriotizmit – vjershor poetët e sotshëm ner gjithfar anësh të Shqipnisë e gjithfar vendesh të huej, sejcili në mendje të vetë, pa fije inspiracjonit e shije artistike. Disa madje, plot bindje ndaj genialitetit i vet mohojn edhe ligjet ma primitive të gjuhës amtare – e kur e do nevoja – edhe gjuhën e vet dhe prodhojn, në një palodhje të çuditshme, një vjershë mbas tjetres, thutë se “qesim” e moren poeziën.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult