Nëna ime dhe Monaliza

kënga Luan Rama: e dashuruar


Nga Luan Rama

Ishte dita ime e fundit në Tiranë. Të nesërmen do nisesha. Shiu që sapo kishe rënë e kishte pastruar ajrin e atmosferës dhe një tufë resh mbi qiellin e kaltër që dukeshin nga xhamat e ballkonit shndrisnin nga një dritë e bardhë. Isha në sallonin e madh ku gjatë ditës rrinte nëna ime. Duke thithur thellë tymin e duhanit, papritur, pasi më vështroi një çast të gjatë, me një nënqeshje të lehtë ajo më tha:
– Kur të vish herën tjetër dua të më sjellësh Monalizën.
– Çfarë? – iu përgjigja menjëherë i habitur dhe me dyshimin se nuk do e kisha dëgjuar mirë.
– Një foto me ngjyra të Monalizës.
U habita dhe buzëqesha një çast.
– Po ç’të duhet Monaliza?
– E dua… më pëlqen.
– Po ç’tu kujtua kështu?
– E pashë në televizor gjatë një emisioni.
– Të pëlqen?
– Shumë!
Ajo buzëqeshi dhe fytyra i mori një dritë të bukur, të lumtur.
– Dhe mos harro të ma sjellësh.
– E çuditëshme… por çfarë di ti për të?
– Pothuaj asgjë.
– Po atëherë?
– Thjeshtë, më pëlqen.
– Përse?
– Nuk e di, të thashë… por kam dëshirë ta kem. Thuhet se ngado që ta shohësh ajo të shikon drejt e në sy.
Pasi heshti një çast dhe duke shkundur hirin e cigares, shtoi:
– A e di ti cila ishte ajo grua?
– E di, por po habitem… nga të katër anët e mureve ti ke fotografitë e familjes… nënën tënde, gjyshi, neve, veten tënde kur ishe e re… ç’të duhet Monaliza?
– Mos ma prish tani… gjithe ditën jam vetëm. Ti je larg në Paris. Pra mos e harro.
– Mirë, – i thashë, – do ta sjell, – dhe e përqafova.
– Por ma sill të bukur ama.
– Mos ki merak, të bukur do ta sjell.
– Eja të të marr pak erë.
Iu afrova dhe si gjithnjë ajo më puthi në gushë dhe më mori erë. Kështu më ka puthur që të vogël, mendova… Dhe vazhdonte, edhe pse sapo isha bërë gjysh.
Babai kishte dy vjet që kishte vdekur. Vetëm motra kujdesej tani për të. Të nesërmen u nisa drejt Parisit.
Kur u ktheva në Paris, disa ditë më vonë shkova nga dyqanet e rrugës «Rivoli», atje nën arkadat e gurta, për të zgjedhur një Monaliza, të cilën e gjeje në forma të ndryshme: në postera, fotografuar në tishërte apo mbi gota të ndryshme, në mozaikë, pllaka porcelani, shalle, coha, etj. Zgjodha një poster të madh dhe të shtypur bukur. Tek e shikoja me vëmendje, vetëm atë çast dallova se portreti i Xhakondës nuk kishte as vetulla dhe as qerpikë, diçka që s’më kishte rënë në sy më parë. Çudi mendova, por shpejt, me tu kthyer, duke lexuar për Xhakondën e gjeta enigmën: në kohën e Leonardos, prostitutat i hiqnin qerpikët dhe vetullat. Por kjo modë u ndoq më pas dhe nga gratë e fisme të Firences dhe kjo ishte arësyeja që Xhakonda ishte pa vetullat dhe pa qerpikë. Në fakt Leonardo e kishte pikturuar në fillim me qerpikë dhe vetulla po ti besojmë bashkëkohësit të tij piktorit Vasari, i cili kur shkruante për Da Vinçin dhe tablonë e famshme të tij, shënonte se “kishte qerpikë e vetulla që me finesë harmonizoheshin me fytyrën”. Disa historianë kishin zbuluar se ato ishin shuar më vonë dhe kjo duhej të ishte e vërtetë. Kur pushtoi Italinë, Napoleoni e kishte marrë në Paris dh eek ishte vendosur në dhomën e gruas së tij Zhozefina për pak kohë dhe pastaj pas internimit të Napoleonit në ishullin e Shën Helenês dhe shumë vitepas revolucionit ishte kthyer në Luvër.
Tre muaj më vonë u ktheva përsëri në Tiranë. Sapo hyra në shtëpi ajo më pyeti:
– Hë, ma solle Monalizën?
– Ta solla i thashë!
Kur mbetëm vetëm në dhomë, nxora posterin që e kisha vendosur në një korinizë të hollë dhe ia tregova.
– Sa e bukur! – mërmëriti, – Rrofsh! – dhe më puthi përsëri në gushë si zakonisht duke më marrë erë.
Që kur isha larguar nga Shqipëria kështu ndodhte gjithnjë. Nuk ishte e ngopur me të puthura. Më merrte erë si të isha fëmijë. Ndoshta ngaqë i mungoja dhe kjo mungesë bëhej si duket gjithnjë e më e madhe. Nganjëherë më puthte kështu në sy të njerëzve të tjerë dhe më vinte ndrojtje, por ç’ti bëja, ishte nëna ime dhe kishte të drejtën të bënte ç’të donte me pjellën e vet.
E nxora posterin nga valixhja dhe i thashë:
– Ku do ta vendos?
– Ja atje përballë!
– Po aty është fotografia jote.
– Eh, ja ku më ke… vëre atje, dua që ta shoh vazhdimisht.
Pastaj ndezi një cigare dhe ulur në kolltuk filloi ta kundronte gjithë dëshirë.
– Di gjë kush ishte kjo Monaliza?… Pastaj, pse i thonë dhe Xhakonda?
– I thonë Xhakonda sepse ishte gruaja e një tregëtari stofrash nga Firence që quhej Françesko Xhiakondo. Ndërsa ajo vetë quhej Liza Gerardini. Me sa duket, ky tregëtar i ka kërkuar Leonardo da Vinçit që ti bëjë portretin e gruas së tij. Kështu ndodhte atëherë: ata që kishin para u kërkonin piktorëve të mëdhenj tu bënin portretet e tyre, të grave apo fëmijëve.
Nëna vështronte nga portreti dhe pas pak tha:
– Po pse Monaliza dhe jo Liza?
– Sepse Mona është shkurtimi i fjalës “madona” që do të thotë zonjë… pra Mona-Liza.
– Eh… mërmëriti, – e bukur paska qenë!
Të dy vështronim Monalizën, por papritur ajo shtoi sërish:
– Çudi që s’ka as gjerdanë dhe as diamante?
– Thonë se Liza atëherë mbante zi për vdekjen e vajzës së saj, Kamila, prandaj dhe s’ka zbukurime.
– Sa vjet janë bërë që atëherë?
– Shumë… mbi pesë shekuj. Leonardo donte ta punonte sërish, prandaj dhe nuik ia dha zotit Xhiakondo. E mbante me vete se e donte mbi të gjitha, madje e mori dhe në oborrin e mbretit francez kur shkoi të jetonte në Ambuazë. Më pas ia fali mbretit, por në fakt ai e pagoi.
– Po tani ku ndodhet?
– Në muzeun e Luvrit ! Eshtë tabloja më e shikuar nga vizitorët në gjithë botë. Madje e kanë mbuluar me xham që mos ta dëmtojnë dhe të mos dëmtohet nga drita e aparateve fotografike.
Kisha qenë shumë herë në Luvër duke shoqëruar miq të shumtë që vinin nga Tirana e që padyshim, një nga gjërat e rralla që donin të shikonin ishte Monaliza. M’u kujtua ai çast në historinë e gjatë të kësaj tabloje kur në gushtin e vitit 1911, një xhamaxhi italian i quajtur Vestini, i magjepsur nga Monaliza, kishte hyrë një pasdite në sallë dhe në mbrëmje nuk kishte dalë nga muzeu duke u fshehur në dollapin e fshesave të pastruseve. Në agim, ai e kishte hequr Moalizën nga korniza e kishte fshehur nën rrobat e tij dhe kur vizitorët e parë u shfaqën, ai doli qetësisht nga muzeu. Por shpejt do ta kapnin.
Historianët e artit thonë se Moalizën, Leonardo e pikturoi gjatë katër vjetëve në seanca të ndryshme. Ajo vinte në atelierin e tij në Firence, ulej, dhe që të mos mërzitej, ai thërriste koncertistë të luanin muzikë. Mjeshtri pikturonte ngadalë, ashtu siç kishte pikturuar dhe afreskun e «Darkës së fundit» në murin e manastirit.
E shikonim të dy Monalizën dhe u kujtova sërish kur kisha qenë në Clos Luce, në Ambuazë ku jetonte dhe punonte Leonardo plak me leshrat e lëshuara pranë pallatit mbretëror. Një kardinal italian kishte shkuar dhe e kishte tauar. Në kthim ai kishte shkruar se në murin e atelierit kishte parë tablonë e mrekullueshme të Xhakondës napolitane. Padyshim duhej të ishte mrekulluar jo vetëm nga portreti por dhe natyra përreth, me detin e shqetësuar mbrapa kurrizit të saj, një urë me katër harqe diku në sfond. Sidoqoftë ai nuk kishte shkruar për buzëqeshjen enigmatike të saj, një buzëqeshje e përmbajtur. Vallë kujt i buzëqeshte?
Kur nëna ime vdiq, arkivoli i saj u vendos po në atë dhomë ku ishte dhe posteri i Monalizës. Shikoja nënën e vdekur, i puthja sytë, ballin, duart dhe pastaj papritur sytë më mbeteshin mbi posterin e dashur të saj. Kisha menduar gjithnjë ta pyesja se ç’dialog bënte me Monalizën, çfarë i thoshte apo çfarë i tregonte Monaliza. Diçka enigmatike me siguri, madje mistike ishte vendosur midis saj dhe Monalizës. Do doja shumë ta dija. Vallë i tregonte jetën e saj, dashurinë dhe dhimbjet apo ankthet e saj. Ç’tregonin këto dy gra në heshtjen e tyre të madhe: njëra që kishte jetuar pesë shekuj më parë dhe tjetra që vdiste tani; njëra tridhjetë vjeçare e një bukurie të përjetshme dhe tjera mbi tetëdhjetëvjeçare… Ndoshta nevoja për të folur, apo treguar diçka të fshehtë e kishte shtyrë nënën që këtë gjë ta bënte me Monalizën, me një pikturë dhe jo me çdo pikturë por me tablonë më të bukur të botës, që siç thoshte Vasari, piktor dhe kritik arti, “Ai që do të bindet se deri ku shkon arti i imitimit të natyrës dhe fuqia e tij që edhe gjërat e vogla të këtij portreti janë pikturuar me kaq finesë, duhet të shohë këtë tablo. Sytë kanë atë shkëlqim dhe njomështi që ekziston në natyrën përreth me një vërtetësi të madhe…”
Njerëzit vinin, ngushëllonin, iknin, pastaj vinin të tjerë dhe gjithçka zhvillohej nën vështrimin e Monalizës. E shtrirë, e paqtë, e përhumbur në botën tjetër ajo s’mund të më merrte aromë… E çuditëshme, mendova. Nëna ime ka qenë njeriu që e ka vështruar më shumë se çdo kush tjetër Xhakondën. Madje asaj i bënte përshtypje dhe ajo vello e lehtë, disi e kafenjtë, gati e padukshme që nderej mbi kokën e Monalizës dhe që shtonte hiret e saj. Vallë në atë meditim të gjatë, i ka treguar ngjarje nga jeta e saj. Çfarë i kishte thënë? Kisha përshtypjen se Monaliza ishte kthyer në një njeri i shtëpisë, i familjes, madje nëna do i kishte treguar detaje që ne të tjerët nuk i dinin. A thua ishte shndërruar kjo pikturë si imazhi i Shën Marisë për besimtarët kristianë duke marrë një fuqi hyjnore dhe duke e kthyer atë tablo në diçka mbi hyjnitë? Ç’kompliment për veprën e Da Vinçit! Çfarë kishte zbuluar tjetër nëna ime tek ai portret që ndoshta nuk ishte zbuluar nga të tjerët, diçka thelbësore, që njeriu i thjeshtë ka aftësinë ndonjëherë të zbulojë në veprat e mëdha… atë që as Vasari dhe as kritikët e shumtë të Xhakondës nuk e kishin thënë deri atë çast.
Sytë e nënës time ishin shuar tashmë dhe ajo s’mund ta shikonte më Monalizën e saj. Pas vdekjes së saj shtëpia u mbyll. Monaliza aty qëndronte gjithnjë e heshtur, pa vizitorë, ndoshta në një mërzi apo zi të madhe, varur në murin e sallonit ku nderej veçse heshtje dhe asgjë tjetër. Një vit më vonë kur u ktheva në Tiranë në dhomën e heshtur ripashë përsëri Monalizën. Mu duk diçka e trishtë ta lija të vetmuar atje ku vetëm drita e diellit hynte nga dritaret. Atëherë zgjata duart dhe e mora Monalizën e nënës time, sikur të merrja diçka intime të saj. Jo, nuk doja ta lija aty, në atë trisht e heshtje të gjithkohëshme dhe pa sy që ta admironin si sytë e nënës time. Ajo ishte pikturuar që të tjerët ta vështronin si një etalon të bukurisë perfekte të botës. Gjatë pesë shekujve njerëzit e kishin admiruar këtë tablo dhe njëra pas tjetrës gjeneratat ishin shuar. E megjithatë arti i madh i rezistonte kohës, i mbijetonte kohrat. Eshtë arti i vërtetë…

ObserverKult