“I çmenduri”, tregim nga shkrimtari i njohur turk, Aziz Nesin

aziz nesin

Tregim nga Aziz Nesin

Unë po ecja nëpër Stamboll nga Eminënia për në Karaqëj. Arrita deri te ura e Gallatës e papritur dëgjova të thërrisnin:
– Ikuuu!
– Ikuuu!
Zunë të fërshëllejnë bilbilat e të vrapojnë policët. Në urë filluan të shtyheshin. Lëvizja e transportit u ndal.
Kalimtarët pyesnin njëri tjetrin:
– Si është puna?
– Çarë ka ndodhur?
– Policisë i shpëtoi një i çmendur.
Mua mu afrua njëri prej kalimtarëve.

– Punë e madhe u paska shpëtuar një i çmendur! Sikur unë e ju jemi më të mençur. Pa shiko u paska ikur një i çmendur! Krijojnë panik kot së koti.
Çfarë ti thosha. Si përgjigje i buzëqesha. Zumë të ecnim pranë njëri tjetrit. Na doli një bashkëbisedues i këndshëm, dinte shumë anekdota zbavitëse për të çmendur. Anekdotat ishin të goditura dhe ai i tregonte me mjeshtëri. Nuk mundja të mos qeshja. Ishte bashkudhëtar i rrallë. I gjallë, i dashur e joshës.

– Po këtë e keni dëgjuar? Një të çmendur që po shëtiste në oborrin e çmendinës, e pyetën që përtej gardhit: “Sa vetë ka si ti atje brenda?” I çmenduri u përgjigj: “Po midis jush atje jashtë sa ka?” Ja shikojeni, fjala vjen, këtë kalimtar.
Unë e vështrova atë njeri që më tha ai.
– Kushedi mbase ky është ai i çmenduri që ka ikur, – qeshi ai me qesëndi.
Me të vërtetë kishte shumë mundësi. Atë person të çuditshëm nuk mund ta merrje kurrsesi për një njeri normal. I vrenjte vetullat, i tundte krahët, bënte gjithfarë gjestesh, sikur grindej me dikë, shqiptonte fraza të ndryshme, herë me zë të lartë, herë duke pëshpëritur, herë duke thirrur me zjarr. Po,po, kishte shumë mundësi që ai të ishte i çmenduri i vërtetë. E qartë, ai i kishte shpëtuar policisë.
– Vemë të lajmërojmë në polici, – i thashë unë, – duhet kapur.
-Jo. Pa vështroje tani këtë tjetrin?
Unë ktheva kokën dhe pashë një mesoburrë flokëverdhë, nxitonte në trotuar dhe qeshte me të madhe. “E paskan gjetur kohën për tu gajasur, – mendova unë”. Pa pritur u ngërdhesh dhe fytyra iu shëmtua. Flokëverdhi u ndal, zuri të numëronte diçka me gishta pastaj qeshi përsëri.
– Ja ai, – i pëshpërita bashkëbiseduesit tim. Më duket se ky vetë do të jetë ai i çmenduri. Eja shpejt të lajmërojmë në polici, le ta kapin.
Bashkëbiseduesi im tregohej krejt gjakftohtë. Sa ia kisha zili.
– Nuk është nevoja, – buzëqeshi. Më mirë dëgjo bisedën e këtyre qytetarëve të nderuar të qytetit tonë. Unë i hapa veshët. Njëri thoshte:
– E kapa të poshtrin për gryke dhe e pyeta: “Sa kushton limoni? Si? Pesëdhjetë korushë?
Pa eja njëçikë këtu ore maskara! Ky edepsëz duhet varur këtu në urë pa gjyq. Nuk duhen shumë, përdridhua kokën nja dy a tre vetave e do të shikosh se në vendin tonë nuk do ketë më spekulatorë.” Eca më tej e shoh një shitës majdanozi, e pyes: “Sa e ke tufën? Si? Dhjetë korushë? Si dhjetë korushë?! O i pa fytyrë, qenke mësuar të rrjepësh! Trekëndëshin e ke pak more qen bir qeni!” Ta them me gjithë mënd, pas këtyre masave nuk do të mbetej frymë spekulatori.
Burri tjetër as që ia varte fare shokut të vet dhe grinte për hesap të tij:
– Kryesore është bujqësia vëllaçko! Bujqësia është gjithçka. Mbi të gjitha është bujqësia pastaj vjen liria. Në vendin tonë nuk duhet të ketë asnjë pëllëmbë tokë të pa punuar. Ja, fjala vjen, unë në ballkonin tim mbolla qepë në saksi. Po ta bënin këtë punë të gjithë qytetarët, vendi ynë nuk do ndjente kurrë mungesë qepësh. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për fasulet, për kastravecët. Po të rriste secili nga një fasule e kastravec në saksi, atëherë nuk do të vuanim nga mungesa e këtyre prodhimeve shumë të shijshëm. Vetëm një avaz dëgjohet. “Liri! Liri! Për çfarë lirie mund të bëhet fjalë në një vend ku nuk ka as fasule!”
Ndërsa shoku i tij vazhdonte të vetën:
– Duhet kërbaç, vetëm kërbaç! Ndryshe nuk bëhemi njerëz!
Të dy flisnin njëherësh, zërat e tyre bashkoheshin e unë dëgjoja këtë duet:
– Para së gjithash është fasulja, vëlla, pastaj kushtetuta. E kemi mësuar përmendësh, “drejtësi, drejtësi!” Po panxhari i sheqerit? Duhen varur këta të poshtër!
Unë e pyeta bashkudhëtarin tim:
– Sa të çmendur kanë ikur? Një apo dy?
– As unë nuk e di.
– Po, këta që të dy janë të çmendur. Vemi shpejt në polici? Është këtu afër pas urës!
Zumë të zbrisnim shkallët. Përballë nesh pamë të ngjitej një grua e re e bukur. Burrat i hidhnin vështrime me zili e disa mëndje e ngacmonin me paturpësi:
– Më dashuro mua bukuroshe!
– Dua të të shtrihem nën këmbë, që të më shkelësh ti, ashtu si shkel qilimin!
– Ah, ç’kukull!
Atë çast ngjau dhe skandali më i shëmtuar. Dy gangsterë iu sulën gruas. Ajo zuri ti godiste me çantë, por s’ishte punë. Bërtiti:
– Ndihmë!…Ndihmë!…
Faqezinjtë e rrëzuan atë në shkallë.
– Po ne ç’presim? – thirra unë.- Ja këta janë të çmendurit që kanë ikur! Kush mund të dyshojë?
Pastaj vazhduam rrugën tonë. Bashkudhëtari im gjakftohtë nisi prapë të më tregonte anekdota për të çmendurit. Unë gajasesha si i marrë.
Arritëm në Karaqëj. Papandehur dy policë e kapën për duarsh bashkëbiseduesin tim.
– Ehë! Të Zumë! Na ranë këmbët duke të kërkuar! Marsh përpara, o i marrë!
– Lamtumirë shok! – më tha ai, kur u ndamë. Desha të shkoja dhe unë atje ku do ta çonin atë. Desha, por nuk shkova.
I thirra:
– Mirupafshim o mik!

Përktheu: Pilo Zyba

ObserverKult

Lexo edhe:

TREGIM NGA AZIZ NESIN: SIKUR TË ISHA GRUA

AZIZ NESIN: NA ERDHËN SHOKËT E BABAIT… NËNA PO QANTE…

AZIZ NESIN: PO SHKOJMË DREJT HUMNERËS