Aziz Nesin: Mos fol shumë…

Poezi nga Aziz Nesin

Ka lindur në vitin 1915. Në shtëpi nuk e linin të qante. E ëma e kërcënonte me gisht: Pusho!
Nuk mund as të qeshte e as të thërriste. I ati e urdhëronte: Qetësi!
Po të kishte mysafirë e porositnin: Rri urtë e mos bëj zhurmë.
Kur e ëma mbetej vetëm në shtëpi, i thoshte: Mjaft, lerna ca të qetë!
Ky havaz vazhdoi gjer sa u bë shtatë vjeç.
*
Pastaj filloi të shkonte në shkollë. Mjaftonte sa të hapte gojën në mësim dhe mësuesi i bërtiste: Leri fjalët!
Kur e ngrinin në dërrasë të zezë e porositnin: Fol vetëm për ato që të pyesin. Mos fol shumë. Ky havaz vazhdoi gjersa u bë dymbëdhjetë vjeç.
*
Pastaj kaloi në shkollë të mesme. Sa hapte gojën ja prisnin:
– Ty s’të pyeti njeri.
Drejtori i shkollës një herë i kujtoi fjalën e urtë: Fjala është argjënd, heshtja flori».
Mësuesi i turqishtes i tha:
Dy herë dëgjo dhe një herë përgjigju. Njeriu ka dy veshë dhe një gojë.
Qetësi!
Pusho!
Mos fol shumë!
Ky havaz vazhdoi gjer sa u bë pesëmbëdhjetë vjeç.
*
Pastaj kaloi në lice. Gjëja e parë që dëgjoi ishte: Më mirë mbylle se të llapësh.
Mos fol shumë!
Mbylle!
Leri fjalët! Ky havaz vazhdoi gjer sa u bë nëntëmbëdhjetë vjeç.
*
Pastaj hyri në universitet. Në shtëpi gjithmonë e porositnin: Kur flasin të mëdhenjtë, të vegjëlit duhet të dëgjojnë.
E ëma e mësonte: Fjalën të madhit, ujët të voglit.
Njëherë profesori i tha: Kyçe dhe mos e hap! Kështu vazhdoi gjer sa u bë njëzet e tri vjeç.
Pastaj e morën ushtar. Komandanti e urdhëroi:
Pusho, qen bir qeni!
Rreshteri: Leri muhabetet!
Kapiteni: Mos fol!
*
E thirën në polici. Polici i bërtiti: Ty s’të pyet njeri!
Komisari i tha: Shët!
Pastaj hyri në punë. Shokët vinin gishtin në buzë
dhe i thoshin: Shët!
Më mirë hesht! Qeder vehtes do t’i bësh. Hap sytë!
Drejtonjësit në punë e paralajmëronin: Mos i fut hundët në punët e tjetrit!
S’të takon ty!
S’është për ty! Ti mos u përziej!

**

Si u martua e shoqja i thoshte: – Të lutem, ti mos u përgjegj!
Pastaj u bë me fëmijë. Fëmijët u rritën. I thoshnin: Rri më mirë mënjanë! Baba, kjo punë s’është për ty.
*
Ky njeri pjesërisht jam unë, pjesërisht ju, pjesërisht jemi ne të gjithë.
Thonë se në kohët e para gratë hidhnin në ushqim gjëmbaç, në mënyrë që burrave t’u merrej gjuha. Zë reni sikur edhe neve na kanë dhënë gjëmbaç. Pa shikoni, kini gjuhë? Neve na është lidhur gjuha! Ne kemi gojë, por gjuhë jo.
*
Tani ky njeri, që pjesërisht më ngjan mua e pjesërisht juve, kërkon liri fjale. Ai don të flasë. Por e urdhërojnë:
Pusho!
Dëshiroj t’i them;
– Fol! Fol! Fol, de! Po përse? Si? Ku e keni gjuhën?

Përktheu: Mërkur Alimerko

ObserverKult

Lexo edhe:

“I ÇMENDURI”, TREGIM NGA SHKRIMTARI I NJOHUR TURK, AZIZ NESIN