Nga murana erdhi me trup të përgjakur
para portës së madhe kasdisi disa herë
pastaj hingëlloi vajtueshëm për Kryezotin
bashkë me erën u kthye sërish në betejë.
Në Fushën e Mëllenjave midis lulëkuqeve
plisat mbetën shkret mbi barin e thatë
shekujt kanë ikur, veç kujtesa mbeti
gjithçka është tretur pa nam e nishan.
Mëllenjat e zeza janë gjithmonë atje
si mallkimi i gjakut që ende rrjedh çurg
Krrokamat e tyre nuk janë ndalur kurrë
Nisin në mëngjes e s’mbarojnë në muzg.
Natën u kthye nga beteja e pafundme
derisa arbërit flinin gjumë të rëndë
mbi kurriz të tij në vend të Kryezotit
bartte pergamenët e shkruar me gjak.
Troku i tij preftoi mes përmes qytetit
kërkonte Kryezotin varrosur në lëndinë
erën e gjakut ia ndjeu, revan fluturoi
turfulloi rëndshëm dhe shfryu angështinë.
Një zonjë e fisme doli nga porta e madhe
mbi krifet e zeza ia mbështolli shaminë
n’testamentin bosh shkruajti veç një fjalë:
“Beteja e radhës është triumfi për lirinë”.