Sergej Esenin: Më thuaj, jetën vallë si e kalon…

sa e bukur esenin qytetare

Mos ulëri! Dëgjomë pak edhe mua,
s’ jam tregtar që fjalën dredh,
sepse m’u kthye mbrapa e m’u rëndua,
kjo koka ime leshraverdhë.

S’gjej dashuri në fshat, as në qytet,
e unë si mund ta mbart, ta hedh në lak?
Pa do lëshoj një mjekër. Po, vërtetë,
dhe do marr zvarrë Rusinë si endacak.

Do t’i harroj, me libra e poezi,
supit një torbë prej leshi do të hedh,
pse erë e fushës ndoshta, kush e di,
çdo endacaku, këngë i thur, mbi ledh.

Do mbaj erë hudhre e qepe kokë e këmbë,
do prish qetësinë e mbrëmjes, për inat,
me një teshtimë madhore në pëllëmbë,
si budalla do shtirem, oh ç’ gallatë!

Lavdi nuk dua më, e marrtë e mira,
veç të dëgjoj stuhinë kur turfullon,
se pa këto të shkreta marrëzira,
më thuaj: – jetën vallë si e kalon?! –

1922

Shqipëroi: Arqile Garo

LEXO EDHE: Sergej Esenin: Lutja e nënës