Bajram Mjeku: Trazimi i zonjës Berger

shiu poetry by bajram mjeku observerkult donika dabishevci e gjithkohshmja andërr

Ajo vinte në teatër ende pa zbardhë agu
Me peliqe të zezë, shtrënguar në bel
Heshtur e hijerëndë ecte përmes hollit
Takat e saj trokitnin rëndë përmbi mermer.

Kafenë e mëngjesit e pinte vet e vetme
Ndjehej e trazuar si të dilte prej honeve
Kur tavllën e mbushte me duqa cigaresh
Buzëqeshja e saj sikur tretej përtej fjordeve.

Pastaj mbyllej papritur në kthinën e teatrit
Veç një piano ishte në boshësinë e territ
Duart e saj s’pranin përmbi tastaturë
Kur luante ndjeshëm sonatat e Shopenit.

Prapë takat e saj rëndshëm oshëtinin
Mbi mermerin e ftohtë në koridorin e gjatë
Kisha ndjesinë sikur gjithçka shembej
Sikur gjithë botën e sundojnë veç gratë.

Zonja Berger jetonte në rrugën Majorstua
Udhëtonte e vetmuar si gjithmonë me tren
Sot e atë ditë nuk e mora vesh kurrë
Pse mbasditeve nisej për Holmenkollen.

Një ditë ndava mendjen, e pyeta padashur
-Prej nga gjithë ky trazim zonja Berger?
Ajo mblodhi supet, shfryu pastaj tha:
-Trazimi është misteri që do ta marr në varr!

Oslo, janar 2001

ObserverKult

lexo edhe:

Bajram Mjeku: Vajtojcat
Bajram Mjeku: Qan lulja për lulen
Bajram Mjeku: Shiu i përlotur