Tregim riprodhim me rastin e vdekjes së aktores Leze Qena
Nga: Bajram Sefaj
– Në fund të ceremonisë, kur përfundonte Mesha e Madhe, në Prizren, bëhej solemnitet i madh.
Të Dielave!
*
Nis rrëfimin, si të fliste vetë me vete, aktorja e njohur, tashmë gjyshe a stërgjyshe, kur sytë i kishte ngulur në xhamin e autobusit që na kthente, si dasmorë të ishim, nga një manifestim tradicional kulturor, ku vlonin poezia, kënga, vallja… nga të gjitha anët dhe vërshonte jo vetëm Zymin e bukur legjendar, por edhe malet kurorë dhe bjeshkët që u shkojnë pas.
Biseda me aktoren, filloi rastësisht. Si zgjuar nga gjumë i thellë, si të ishte e përgjumur, aktores se madhe, ia kam qitur përpara pyetjen e papritur dhe befasuese fare, si kulaç piteje: njëmend, Leze, pashë Krishtin, si ka vajtur dikur, në kohën tuaj, puna më fejesa në botën tonë katolike?
Ky veçim, bota jonë katolike, vinte si pasojë se nga andej vijnë më pak njohuri dhe kjo punë sikur është mbështjellë me petk të trashë misteri.
Jo vetëm Lezja (e lezetshme nis e sos, si në rini, si në çikni, si në moshë mesatare, si në moshën e madhe!), simpatike dhe tejet e hareshme, por, edhe vetë, sikur u tremba, nga kjo pyetje, që me erdhi nga andej, si të kishte pikur, nga kupa blu e qiellit, që na rrinte mbi kokë.
Aktorja, primadonë e Teatrit tonë, sytë i mbështeti në xhamin e trashë të dritares së autobusit. Shikimi i treti në thellësinë e murrme të fushës pjellore të Dukagjinit dhe, sikur nga ajo thellësi e liqenit të legjendës, del me sy të lagur, me zë të mekur nis rrëfimin mbi diçka që e njihte mirë dhe që kishte përjetuar thellë, në rini, shumë herë ndoshta!
– Çdo të diel, në kishën katolike shqiptare në Prizren, kur përfundonte Mesha e Madhe, tradicionalisht solemne, ajo, njëherazi, ishte rast i mirë, mundësi njohjeje e dashurie, që shpesh, shumë shpesh, përfundonte me fejesa e…!
Djemtë beqarë, kandidatë të mundshëm, uleshin ose para mejhaneve të shumta të qytetit, ose në rrethojat e Urës së Gurit mbi Lumëbardh, ose në sheshin e shatërvanit, me krojet e ujit të kulluar, në rrjedhë të përmotshme, ndërkaq vajzat, gocat e reja e shtathedhura, veshur e mbathur me më të mirat veshje, me dimi e shallvare, me jelekë të ngushtë, qëndisur me majë gjilpëre e fije penjsh të praruar, që ua nxirrnin në pah gjokset e gufuara, parakalonin si në një paradë mbretërore, pa e kthyer kryet as majtas, as djathtas. Vjedhtë duke shikuar, me bisht syri. Pastaj, gjenin udhët e fshehta, takoheshin, dashuroheshin, fejoheshin e…
Aktorja e dashur fjalën martoheshin sikur e kapërceu.
– Xhevatin tim, ndjesë pastë, e kam takuar në rrethana krejt të tjera…
Jetë të gjatë, të lumtur dhe të bujshme bashkëshortore kemi kaluar…
(Sytë e shkruar, gjithnjë të gjallë e zhbirues, i morën rigë lotësh, zëri drithërimë!).
Ky ishte përfundimi, sa i ngutshëm, aq sa i papritshëm e logjik , i bisedës së rastit me Lezen, në relacionin Zym-Prishtinë.
Po të ishte rrugë edhe dhjetë fish më e gjatë nuk do të mjaftonte për të zënë në gërshet qoftë edhe shtigjet me të veçanta të asaj rruge të gjatë e të bujshme të Lezes me Xhevatin e saj të jetës jetë!
(Marrë nga libri “Prozë urbane – tregime”, faqe 141, ShB. Faik Konica, Prishtinë – 2019)
ObserverKult
————————————————————————————-
Lexo edhe:
“DASHURI TË PAPREKURA”, ROMAN KUSHTUAR AKTORES LEZE QENA
Me rastin e njëvjetorit të vdekjes së aktores së njohur Leze Qena, botohet romani biografik “Dashuri të paprekura – Saga e një fryme të heshtur” i autorit Vilson Culaj, që paraqet jetën e aktores Qena që nga fëmijëria e saj e hershme e deri në kalimin e saj në amshim.
Romani “Dashuri të paprekura – Saga e një fryme të heshtur” i autorit Vilson Culaj, i cili është botuar nga Shtëpia Botuese “Jakup Ceraja”, është një roman biografik, që flet për jetën e aktores së njohur shqiptare Leze Qena.
Si të ishte biograf i saj, autori na përshkruan në detaje jetën e veprën e artistes, duke e kthyer në një personazh romanor mu në thelb të kohës dhe hapësirës së kësaj vepre emblematike.
Nga dërrasat e skenës teatrore, sheshet e xhirimit e reflektorët e televizionit, imazhet plot dritë e jetë të artistes Leze Qena tani e tutje do të komunikojnë̈ me artdashësit përmes romanit “Dashuri të paprekura”, që plotëson një zbrazëti që lë prapa shënjuesit e kohëve.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult