Ballsor Hoxha: Të pranosh cigaren e parë prej babës

ballsor hoxha

Si fëmijë, duke ikur nga reflektimi im në thikë, thikën e zeitgeistit të të tetëdhjetave në Kosovë, shpeshherë e kam gjetur veten duke u kapur për figurat e tymit. I shtrirë në barin e tokës në skutat e lagjes, fshehur nga të gjithë, figurat që dilnin nga cigarja e ndezur, ndoshta qysh në moshën tetë vjeçare, jo që ishin të ndryshme nga ajo që njeh vetëdija e njeriut, por, qarkullimi i tij më shndërronte: qarkulloja dhe unë, për së brendshmi. Krijohej  një qetësi e brendshme. Një qetësi që më bënte ta doja dhe në të njëjtën kohë ta ruaja shtjellimin e tij, të ngadaltë dhe të pa paracaktuar, dhe mu kjo paparacaktueshmëri ishte esenca. Figurat duke lëvizur qetë pa atë shtytjen e çkado që i bënte njerëzit të dhunonin njëri -tjetrin. Sidoqoftë, secila figurë që dilte prej tij, gjithmonë, gjatë lojës së të ikurit e merrte figuren e bacit.  Atij bacit më të madhit. Dëshmi përhershmërie të jetës, si e njihnim, para demonstratave të ’81.

1. Babai im, ai që fitonte bukën në shtëpinë tonë, kishte humbur vendin e punës, në
fakt tërë shqiptarët e botës kishin humbur vendet e punës, duke pas qenë punëtorë të mirë, ashtu e ndjeja në moshën që e kisha.

Më kujtohet, ishte ulur në tavolinën e bukës në kuzhinë, sikur donte të pinte duhan deri në vdekje, dhe unë si thellues i kësaj plage ulur përballë në karrigen tjetër të tavolinës. Ai duke pirë cigaret njërën pas tjetrës pas 13 vitesh që e kishte lënë cigaren, pas aq shumë vitesh që kishte punuar si profesor në universitet, aty mbi tavolinën e bukës, duke u bërë më i vogël pas secilës cigare që e pinte. Shporeti dhe dollapat e kuzhinës së ngushtë ishin shndërruar në forma gjigante ndaj figurës së babait që nuk bënte asgjë tjetër përpos të tymosurit. Ai duke u shndërruar dëshpërimisht fëmijëror pas çdo tymi të ngrehur. Aq i vetmuar dukej. Nuk fliste dhe as nuk ofshante, dëgjohej të ngrehurit të tymit dhe të shtytjes së tij përmes frymëmarrjes. Unë në anën tjetër të tavolinës së bukës duke e shikuar, duke dashur të pi dhe unë një cigare, por tymi kryefortë kishte marr formën e një demi të karikaturuar dhe më thoshte që ishte çështje personale e tij, luftë personale për ta luftuar, cigare personale për ta ngrehur. Luftë babai. Dhe më kujtohet që vetëm doja të hyja nën tavolinë. Të bëhesha më i vogël se babai. Vetëm më i vogël sa për ta ndalë atë duke u  zvogëluar.

2.Ndodheshim në njërën nga kupetë e trenit për në Bllacë dhe në kufirin e shterimit të realitetit, përfundimit të jetës si e njihnim. Çdo gjë kishte përfunduar, arritur fundin. Në mes, mbi tavolinën e çuditshme të kupesë, kishte shndritur një qese e mbushur me duhan të papërpunuar. Vëllau im i vogël dhe nëna jonë gjithashtu, e kishin lënë cigaren gjatë bombardimeve. Kishim qenë vetëm vëllau tjetër, më i madhi dhe unë, që ende ishim duhanpirës, si më të “fortit” në familje. Mekanizmi i trenit duke u rrotulluar nëpër binarë penetronte nëpër mendjet tona të përfunduara po ashtu dhe thellonte qetësinë. Dëgjohej, në të vërtetë ishte vibrim i paqëndrueshmërisë së të qenit shqiptar, në të 1999-ën në atë tren. Nuk shikoheshim në sy, e bënte të vërtetë inekzistencën tonë. Dhe qesja, që kishte shndritur shkëlqime të shkëputura të reflektimit të rrezeve të diellit, e mbushur me duhan të papërpunuar, kishte rënduar mbi tavolinën e kupesë. Ishte zëvendësim i cigareve që na ishin harxhuar qysh në ditët e para të luftës.

Duke shpërthyer këtë vibrim të shkaktuar nga fërkimi i zhurmës së shinave të trenit dhe të qetësisë paralizuese, babai, kishte zgjatur dorën, të merrte gjënë më të rëndësishme të tërë jetës së tij në mes të asaj kupeje, kishte kapur qesen e plastikës së atij duhani të mykur, të cilin e kishim marr me vete bashkë me mullirin e kafes dhe bocën e gazit. Qetë dhe durueshëm e kishte vendosur në prehër dhe ngadalë e kishte hapur. Qesja duke krijuar zhurmën e ndrydhjes, duke na pushkatuar me vërtetësinë që e krijonte, prapë, pas aq shumë vitesh që e kishte lënë, babai e kishte trazuar grumbullin e duhanit brenda asaj qeseje. Krejtësisht i qetë dhe i koncentruar në atë që bënte. Është interesante se si tërë jetën e tij duhani e kishte përcjellur babain kudo: si fëmijë e kishte kultivuar në ara bashkë me familjen e tij, më vonë e kishte bartur nëpër qese najlloni të mbushura përplot nga fshati i tij në qytet për ta shitur ilegalisht, për të paguar universitetin, më vonë ne djemtë e tij kishim mbajtur familjen duke e shitur…

Në dridhjen konstante të kupesë derisa gjuha njerëzore përfundonte – ajo kishte arritur fundin e saj dhe nuk kishte kurrfarë kuptimi – ai kishte zgjedhur një letër duhani, zhurmërima e saj kishte shqyer timpanin e veshëve tanë, dhe e kishte vendosur mes dy gishtave të tij. Kishte filluar ta pshtillte një cigare. E kishte pështjellur sikur të ishte cigarja e fundit, e fundit cigare që do të pështillte ndonjëherë. E kisha shikuar, e shikonim të gjithë sa ishim brenda kupesë dhe na përfshinte si strumbullar rikrijimi të gjërave: çdo gjë kishte pas përfunduar para këtij veprimi të tij. Dëgjonim fëshfërimën e letrës së duhanit duke u mbushur duhan. Letra e cigares së bashku me ndrydhjen e qeses së duhanit kshin filluar të krijonin një lëvizje gjërash, prej fundit që e kishm arritur, ishim harmonizuar. Kishte marrë grumbuj të vegjël duhani, preciz dhe fijet e tij të lidhura njëri me tjetrin si ne, dhe e kishte futur në letrën që e mbante të kapur brenda dy gishtrinjëve të tij, gishtit të madh dhe gishtit tregues, derisa herë pas here ishte lëkundur nga lëkundja e trenit. Durimshëm, i qetë, ngadalë, e kishte pështjellur me pasion të profesorit që i kishte mësuar të rinjtë të bëheshin inxhinierë, e kishte pështjellur me durimin e njeriut që kishte arritur në fund dhe përfundim të jetës disa herë: kur i kishin djegur shtëpinë partizanët, kur e kishin vënë para pushkatimit para syve të tij axhën e tij po të njëjtit partizan, kur e kishin larguar nga puna, kur ishte dëgjuar eksplodimi i bombës së parë të NATO-së në Prishtinë, kur na kishin nxjerrë jashtë shtëpisë, e kishte pshtjellur si një njeri që kishte jetuar nëpër përfundime të jetës dhe realitetit ashtu si njihet nga të gjithë, disa herë. E kishte pështjellur me tërë vendosmërinë për të jetuar ashtu si kishte dashur të jetonte, e kishte pështjellur derisa tërë bota po digjej jashtë kupesë sonë të trenit, derisa po digjej shtëpia e tij ku kishte lindur, derisa po digjej i tërë fshati i tij për të kushedi satën herë, derisa po digjej shtëpia e tij ku kishte banuar deri para dy tri orësh, derisa po digjej universiteti i tij, derisa po digjej qyteti i tij, derisa po digjej i tërë vendi i tij.

Derisa kisha ndjerë rrudhosjen e letrës së duhanit në dy gishtat e tij, vazhdimisht më kishte dalë përpara fytyra e një serbi fëmijë që e kishin maltretuar të gjithë fëmijët tjerë shqiptarë në soliterin ku kisha kisha kaluar fëmijërinë. Më kujtohej se si i jepnin shurrë për të pirë dhe e mashtronin se ishte Jupi, pije e njohur e gazuar në atë kohë. Më kishte dalë përpara fytyra e tij derisa babai e shtrinte duhanin në letrën e bardhë. Më ishte dukur se të gjithë sa ishim në atë tren ishim fijet e duhanit në letër. Ishim grumbull jete të paqëndrueshme dhe të përfunduar që digjej vazhdimisht javët e fundit. Më dilte përpara fytyra e Fiqës (Filip e ka pasur emrin, mu si të parët tanë, dhe shqiptarët e quanin Flliqa) duke e djegur botën sa ishte, sa e njihnim, sa kishte ekzistuar përgjithmonë. Por babai, ishte thelluar në atë pështjellje të cigares, sikur të ishte gjëja e fundit që do të bënte.

I ishte dashur pak kohë derisa e kishte pështjellur, por në fund e kishte maruar cigaren. Ishte perfekte, më e mirë se cilado cigare fabrike, më precize dhe më e formësuar. Asnjë tepri, asnjë grumbull dhe asnjë shenjë se ishte punë dore e njeriut të gabueshëm. Preciziteti i saj kishte rikrijuar tërë ambientin, brenda dhe jashtë kupesë, nëpër aromën e mbytur të djersëve të frikës dhe rrezeve të diellit që penetronin. Dhe pastaj e kishte shikuar me sytë e personit duke lënë një dëshirë flakëruese, ndoshta të njeriut duke e shtyer vdekjen e tij.

Dhe, krejt si në gjendje të këtij lloji, kishte ndodhur diçka tërësisht e papritur: ma kishte zgjatur mua. Ishte e çuditshme sepse kurë nuk e kisha pirë cigaren para tij, edhepse ai e dinte që pija duhan, duke qenë ky respekti reciprok në mes të babait dhe të birit në mënyrë të çuditshme shqiptare.

Dhe, e kisha ndezur, para tij. Dhe e kisha djegur. E kisha tymosur dhe e kisha ndjerë tymin aq të dashur, aq të nevojshëm. E kisha ngrehur thellë si krejt ajo që mund t’i jep babai fëmiut. Në fakt ajo cigare e pështjellur më mirë se nga cilado makinë duhani ishte krejt ajo që mund të me jepte babai im aty, së bashku me njëqind markat gjermane për secilin anëtarë të familjes që i kishim ndarë në rast se duhej të iknim ashtu siç edhe ishim duke bërë (është e çuditshme kjo imagjinata e shqiptarit).

Por aq e çuditshme ishte edhe tërë ajo që po ndodhte derisa e thithja cigaren, dielli i zbehur, që më kishte ndjekur të shumtën e jetës sime që e mbaja në mend, në mes tërë botës që e njihnim duke u djegur, e gjente diellësinë e tij. E kisha marrë atë cigare si shenjë. E kisha marrë duke e ditur se ai po kuptonte që kishte arritur (së paku unë kështu e kisha kuptuar) gjënë më të natyrshme në shumë vende të tjera të botës. Gjënë më të rëndësishme të tij: ne të tre vëllezërit,  djemtë e tij, ishim bërë burra. Lëkundej treni, lëkundej kupeja, dhe kokat tona lëkundeshin krejt memece në vetëdije, por dielli i prillit 1999 penetronte, për mua, vetëm për mua, me tërë gjallërinë e tij dhe riformësonte, në mes të kufirit ku kishte përfunduar jeta jonë, rifillimin e jetës.

Kisha kaluar kufirin, atë ku përfundonte jeta kosovare, kisha kaluar në ekstazën e kapjes së trillit të krijuar nga rrezet e gjallëruara të diellit, isha i përmbushur derisa ngrihja tymin e cigares së pshtjellur prej tij. Derisa e shihja duke më shikuar, linjat e ballit të tij duke u thelluar aq thellë sa e tërë jeta e tij, duke u lakuar aty këtu si valë të një deti të mençur, vetullat e tij të lakuara si pyetjet përjetësisht më të bukura. Duke e ditur që e kishte kryer të veten?

Ende, sot, nëpër shtjellimet e tymit, flej, në ambiente, të gjitha, dhe në fjetje kërkoj figurën e atij Bacit, të shformësuar në vibrimet e lirisë. Vetëm tymi arrinë aty, krijuar, vizion momental i përpjekjeve, shkëmbimeve të të ardhmes me atë që kalon, ka kaluar dhe zë vend diku. Vazhdimisht kalon, si tymi.

Prishtinë, 2009!

ObserverKult