Barbara Giorgi: Thirrmëni Shtrigë!

Barbara Giorgi

Poezi nga Barbara Giorgi

S’ka rëndësi kush jam.
S’ka rëndësi emri që mbaj.
Mund të më quani Shtrigë.

Sepse, gjithqysh, kjo është natyra ime.
Kahershëm,
nga klithma e parë,
nga frymimi i parë,
nga shkelmimi i parë që i dhashë botës.

Jam një nga ato gra që kanë zjarr në shpirt,
jam një nga ato gra që kanë shikimin dhe dëgjimin e një maceje,
jam një nga ato gra që flasin me pemët dhe milingonat,
jam një nga ato gra që kanë trurin e Ipazias, Artemisës, Zonjës Kyri.

Dhe jam e bukur!
Kam bukurinë e dritës,
kam bukurinë e harmonisë,
kam bukurinë e detit të stuhishëm,
kam bukurinë e një tigri,
kam bukurinë e lulediellit, livandës, madje, edhe të barishteve të këqija!

Pra, jam një shtrigë.

Jam shtrigë, sepse jam ndryshe,
jam si askush,
jam dikush tjetër,
jam vetvetja,
jam jashtë vijave,
jam jashtë kutisë,
jam një anormale.. .
jam unë!

Jam magjistare,
sepse jam krenare që jam një kafshë-grua-cigane-artiste
dhe… inxhiniere e çmendur e jetës sime.

Jam shtrigë, se di të përdor kokën,
se them gjithmonë atë që mendoj,
se nuk kam frikë nga fjala e rrezikshme dhe që jep “të kruara”,
nga fjala e fuqishme dhe e pushtetshme.

Jam magjistare,
sepse shpesh e mërzis Inkuizicionin e Shenjtë të këtij mijëvjeçari të çuditshëm,
të kësaj Mesjete mediash dhe gjykatash apatike.

Jam një shtrigë,
se zjarret ende ekzistojnë dhe unë
– herët a vonë –
mund të përfundoj në to.

*Një monolog i bukur nga Barbara Giorgi shkruar për Franca Rame-n

Ujdisi shqip: Rielna Paja

ObserverKult

Lexo edhe:

BEATRICE ZERBINI: SA HERË BIE ZILJA E DERËS, JE TI…