Poezi nga Bardhyl Londo
E dua këtë qytet. Dhe ai më do herë pas here.
Kur jemi larg krahët tundim drejt njëri-tjetrit si mullinj ere.
Kur jemi pranë qeshim, heshtim, qajmë,
Malli mbi katedralen e qytetit tingëllon kambanë.
Tani kalldrëmeve eci i vetëm në mesnatë,
pa një kitarë malli, pa një mall serenate.
Pa shokë, pa miq shpërndarë nëpër botë për jetë
me një hënë të huaj që nuk di ç’ndriçon as vetë.
Hapuni porta, u bërtas, s’më njihni? Jam miku juaj.
Është vonë, thonë ato, ç’kërkon kaq vonë o i huaj?
Mbi kalldrëmet e ashpër si me gurë strralli
nuk shkel këmba ime por ngadalë zvarritet malli.
S’ka një tavernë hapur, një pijetore zhurmëshume,
i verbër si Homeri ngjan qyteti, do verbohem edhe unë.
Të desha, i bërtas dhe ti më doje herë pas here,
pse më fshihesh tani, pse s’më hapet asnjë derë?
Në këmbanore do ngjitem, kambanës ti bie pa pra,
në këtë qytet nuk kam më asgjë, në këtë qytet kam gjithçka.
Korçë, qershor 2020
ObserverKult
Lexo edhe:
RRËFIMI I BARDHYL LONDOS PËR LETËRSINË EDHE POLITIKANËT QË VRASIN ËNDRRAT E SHQIPTARËVE ÇDO DITË
Vëllimi poetik “Prilli i hidhur” e pati rikthyer muaj më parë autorin (tashmë të ndjerë) pranë lexuesit me disa cikle poetike. Nuk munguan në të vargjet për Skënderbeun, aktualitetin e trishtë shqiptar në këto 30 vite tranzicion, por edhe për pandeminë Covid 19.
Për “ReportTV” poeti Bardhyl Londo pati treguar zymtësinë, në të cilën po jetojnë shqiptarët për shkak të mungesës së vizionit të politikanëve. Nënvlerësimin e kulturës, por edhe përpjekjet që bëri si kryetar i ish-Lidhjes së Shkrimtarëve në fillim të viteve ’90 për një organizëm, që ishte krijuar për një sistem tjetër, siç ishte regjimi socialist…
Tekstin e plotë e gjeni KËTU