
Nga Alma Dema
Shtatori ka qenë dhe mbetet një muaj i veçantë. Pas javëve të gjata të verës, shkollat hapin përsëri dyert, klasat mbushen me zëra fëmijësh dhe korridoret marrin gjallërinë që u ka munguar gjatë pushimeve. Për prindërit fillon përgatitja e zakonshme: libra, fletore, çanta, veshje, mjete shkollore dhe gjithçka tjetër që i duhet fëmijës.
Por ekziston një përgatitje që nuk blihet në dyqan dhe nuk futet në çantën e shkollës: përgatitja emocionale.
Një fëmijë i cilësdo moshe mund të ketë çdo gjë që i nevojitet për të nisur shkollën dhe përsëri të mos jetë gati emocionalisht për të hyrë në klasë, sepse mund të ketë frikë, mund të ndihet i pasigurt, mund të mos dëshirojë të ndahet nga prindërit, mund të jetë i shqetësuar për mësuesin, shokët, detyrat ose gabimet që mund të bëjë.
Prandaj, përgatitja për shkollën nuk duhet të matet vetëm me atë që fëmija di, por edhe me mënyrën se si ai ndihet.
Çfarë ndodh gjatë verës?
Pushimet janë të domosdoshme për fëmijët. Ata kanë nevojë të pushojnë, të luajnë, të kalojnë kohë me familjen dhe të largohen për pak nga ritmi i ngarkuar i shkollës, por pushimi nuk do të thotë mungesë totale e rutinës.
Gjatë verës, disa fëmijë mund të mësohen pa orare të qëndrueshme: flenë vonë, zgjohen vonë, kalojnë shumë kohë në telefon ose tablet, luajnë deri në orët e vona dhe kanë shumë pak përgjegjësi apo aktivitete të strukturuara.
Në disa raste, prindërit, me qëllimin e mirë për t’u dhënë fëmijëve liri pas një viti të lodhshëm shkollor, i lënë ata të bëjnë, pothuajse, gjithçka sipas dëshirës së tyre. Sa herë vjen fillimi i vitit shkollor, rikthehet edhe një shprehje që mësuesit e përdorin shpesh, jo pa humor: “I kanë lënë të hardallosen gjithë verën; tani ec e futi në brazdë!” E thënë me shaka, kjo shprehje pasqyron një shqetësim që haset jo rrallë në praktikën pedagogjike: pas një periudhe të gjatë pushimesh, rikthimi në ritmin e shkollës kërkon kohë, përshtatje dhe një qasje të kujdesshme nga ana e mësuesit. Pas humorit të kësaj shprehjeje fshihet, pra, një realitet pedagogjik që meriton të shihet jo si problem i nxënësit, por si një proces natyror i rikthimit te rutina, përgjegjësia dhe angazhimi shkollor.
Fëmija nuk mund të kalojë nga një periudhë me shumë pak kufij dhe shumë liri në një mjedis ku priten prej tij përqendrim, vetëkontroll, respektim rregullash, dëgjim dhe përgjegjësi, të gjitha këto brenda një dite.
Tranzicioni kërkon kohë, prandaj, përgatitja për shkollën duhet të fillojë gradualisht edhe para shtatorit. Kjo nuk është e thënë, të arrihet duke e kthyer verën në një periudhë mësimore, por duke rikthyer pak nga pak strukturën: një orar më të rregullt gjumi, më pak kohë para ekraneve, pak lexim, lojëra që kërkojnë përqendrim, përgjegjësi të vogla në shtëpi dhe biseda për shkollën.
Fëmijët kanë nevojë për liri, por edhe për kufij; për lojë, por edhe për strukturë; për pushim, por edhe për rutinë.
Çfarë do të thotë përgatitje emocionale?
Edukimi emocional na mëson se fëmijët duhet të ndihmohen jo vetëm të marrin njohuri, por edhe të kuptojnë emocionet e tyre, t’i shprehin dhe gradualisht t’i menaxhojnë ato.
Koncepti i inteligjencës emocionale, i zhvilluar në mënyrë të rëndësishme nga Peter Salovey[1] dhe John Mayer[2] dhe i bërë i njohur gjerësisht nga Daniel Goleman[3], na kujton rëndësinë e aftësisë për të njohur, kuptuar dhe menaxhuar emocionet.
Në këtë kuptim, një fëmijë i përgatitur emocionalisht për shkollën nuk është një fëmijë që nuk ka frikë.
Është një fëmijë që gradualisht mëson, të kuptojë atë që ndien, të shprehë shqetësimin dhe të kërkojë ndihmë, të përballojë një situatë të re dhe të tolerojë zhgënjimin, të presë radhën dhe të bashkëpunojë me të tjerët dhe, mbi të gjitha, të përpiqet edhe kur diçka nuk i del menjëherë.
Këto aftësi nuk zhvillohen brenda një dite.
Ato ndërtohen në familje, në kopsht, në shkollë dhe në çdo marrëdhënie që fëmija krijon me të rriturit.
Përgatitja emocionale fillon në familje!
Prindi mund ta ndihmojë fëmijën duke folur me të për shkollën, por mbi të gjitha duke e dëgjuar.
Në vend të “Mos ki frikë!”, mund të themi “Çfarë të shqetëson?”.
Në vend të “S’ke pse të kesh frikë.”, mund të themi “Është normale të ndihesh pak i shqetësuar kur fillon diçka të re. Çfarë mund të bëjmë që të ndihesh më mirë?” Kjo i mëson fëmijës një gjë shumë të rëndësishme: emocioni i tij është i pranueshëm.
Prindërit mund të krijojnë gjithashtu rutina të parashikueshme, të vendosin kufij të qartë dhe të shmangin ndryshimet e menjëhershme.
Një javë ose dy para fillimit të shkollës, ora e gjumit mund të zhvendoset gradualisht drejt orarit të zakonshëm. Mund të rikthehet leximi i përditshëm. Mund të kufizohet koha para ekraneve. Mund të fillojnë bisedat rreth shkollës.
Por duhet të shmanget edhe presioni: “Këtë vit duhet të jesh më i miri!”, “Duhet të marrësh vetëm dhjeta!”, “Mos na turpëro!”
Fëmija ka nevojë të hyjë në klasë me ndjesinë: “Unë mund të përpiqem dhe, nëse e kam të vështirë, mund të kërkoj ndihmë.”
Dhe pastaj hapet dera e klasës…
Më 14 shtator, mësuesi përballet me një klasë të tërë, por ajo klasë nuk është një grup fëmijësh të njëjtë. Njëri është shumë energjik, tjetri është i ndrojtur, njëri nuk duket i interesuar, një tjetër flet pa pushim, njëri përshtatet menjëherë, tjetri ka nevojë për javë të tëra.
Dhe këtu fillon një nga sfidat më të mëdha të mësuesit: të mos presë që fëmijët të përshtaten të gjithë në të njëjtën mënyrë. Kështu për fëmija hiperaktiv (të cilët po shtohen shumë në numër kohët e fundit) le të shohim përtej sjelljes. Një fëmijë që lëviz vazhdimisht, ndërpret, flet pa pritur radhën ose e ka të vështirë të përqendrohet mund ta perceptojmë shpejt si “i pabindur”.
Por etiketimi nuk e ndihmon fëmijën! Mësuesi mund të përdorë udhëzime të shkurtra, detyra të ndara në hapa, aktivitete me lëvizje, role konkrete dhe përforcim pozitiv, sepse qëllimi nuk është vetëm ta bëjmë të rrijë urtë, por ta ndihmojmë të zhvillojë gradualisht vetërregullimin.
Fëmijën e ndrojtur, le të mos e detyrojmë të bërtasë për tu dëgjuar. Është e dukshme që ka fëmijë që nuk e ngrenë dorën, nuk duan të flasin para klasës dhe kanë nevojë për më shumë kohë për t’u përshtatur dhe kjo nuk do të thotë se ata nuk dinë.
Mësuesi mund tu krijojë mundësi për të marrë pjesë gradualisht: në çift, në grup të vogël dhe më pas para gjithë klasës. Qetësia nuk duhet të ngatërrohet me mungesën e aftësisë.
Nga ana tjetër hasim fëmijën që duket i painteresuar (edhe kjo kategori gjithmonë e më në rritje!). Duhet të perpiqemi të kërkojmë arsyen… Kur një fëmijë nuk merr pjesë dhe duket sikur nuk i intereson shkolla, është e lehtë të thuhet: “Nuk do të mësojë.”
Por ndoshta duhet të pyesim: Pse? A është detyra shumë e vështirë? A është shumë e lehtë? A ka frikë se mos gabon? A ndihet i përjashtuar? A e kupton pse duhet ta mësojë atë që po mëson?
Motivimi nuk ndërtohet vetëm me urdhra. Ai ndërtohet kur fëmija ndien se ajo që bën ka kuptim dhe se përpjekja e tij vlerësohet.
Po fëmija që flet shumë? Komunikimi, është vlerë e jashtëzakonshme dhe duhet të mësohet. Fëmija që flet, vazhdimisht dhe pa pushim, nuk duhet të shihet vetëm si “shqetësim”.
Ai mund të jetë kureshtar, komunikues, energjik ose thjesht të mos ketë zhvilluar ende aftësinë për të kontrolluar impulsin.
Detyra e mësuesit nuk është vetëm t’i thotë: “Hesht!”, por ta ndihmojë të mësojë kur të flasë, si të dëgjojë dhe si të respektojë radhën.
Kjo është pjesë e edukimit emocional dhe social dhe duhet të mos e ngatërrojmë fëmijën me sjelljen e tij
Ndoshta këtë shtator duhet të përgatitemi jo vetëm për të mësuar fëmijët, por edhe për t’i kuptuar ata; t’u mësojmë prindërve se fëmijët kanë nevojë për dashuri, por edhe për kufij, për liri, por edhe për rutinë.
Tu kujtojmë mësuesve se në klasë nuk kanë përballë vetëm nxënës, por fëmijë me histori, temperamente dhe nevoja të ndryshme.
Dhe tu kujtojmë të gjithëve, se një fëmijë nuk hyn në klasë vetëm me çantën e tij. Ai sjell me vete emocionet e tij; frikën, gëzimin, pasigurinë, kuriozitetin, energjinë, dëshirën për të qenë i pranuar.
Dhe ndonjëherë edhe një verë të tërë pa rutinë, pa kufij dhe pa përgatitje për kthimin në jetën shkollore.
Prandaj, para se të pyesim “A është gati fëmija për të mësuar?” le të pyesim “A ndihet ai gati për të hyrë në klasë?”, sepse para se të mësojë një formulë, një rregull gramatikor apo një poezi, fëmija duhet të mësojë diçka edhe më themelore: se klasa është një vend ku mund të provojë, të gabojë, të pyesë, të mësojë dhe të ndihet i sigurt.
Ndoshta ky është fillimi më i mirë që mund t’i dhurojmë një fëmije në shtator; një fillim me më pak presion, më shumë mirëkuptim dhe shumë më tepër besim tek ai.
[1] Salovey, P., & Mayer, J. D. (1990). “Emotional Intelligence.” Imagination, Cognition and Personality, 9(3), 185–211.
[2] Mayer, J. D., & Salovey, P. (1997). “What Is Emotional Intelligence?” In P. Salovey & D. J. Sluyter (Eds.), Emotional Development and Emotional Intelligence: Implications for Educators (pp. 3–31). New York: Basic Books.
[3] Goleman, D. (1995). Emotional Intelligence: Why It Can Matter More Than IQ. New York: Bantam Books.
ObserverKult
Lexo edhe:
Sami Frashëri: Pa gjuhë s’ka komb, pa gjuhë shqipe s’ka Shqipëri






