Belfjore Qose: Blue

T’i kam dashur buzëqeshjet
Aq shumë sa as ti vetë nuk arrite t’i duash,
T’i kam nxitur përndritjet
Me forcën e trupit tim në flakë krijimi,

Tani jemi larg gjumit
E kemi humbur atë mes makthesh të shurdhëta,

Duhet të mësojmë si të humbasim rrugën
Për të pare lulet që kemi në sy,

Duhet të mos kthesh kokën
Për të më nxjerrë nga Hadi i kujtesës,

Dënuar me jetë
Koha fryhet dhe del nga shtrati i ditëve,

Janë përsëri ata
Të dashuruarit me dukjen
Që flasin me zë të lartë për dashurinë,

Jemi përsëri ne
Të dashuruarit me gjuhën
Që mbytemi në pamundësi veprimi,

Jam përsëri unë
E dashuruar me leximin
Që deshifroj në trupin tënd trishtimet,

Je përsëri ti
I dashuri im i përjetshëm
Që nuk mund të jesh i tillë

Për grimëkohën tonë tokësore.