Kjo botë mjegullash vezake më s’është,
kjo botë trenash që, tek largohen,
lënë një si drithërimë nëpër peizazh.
Kjo botë pyjesh të prera që ishte ti.
Mes pikëllimit tënd të vjetër kaloi një lumë.
Dhe ti befas u lodhe si drenusha e bryllët.
Nga një libër i Remboit ia kishe mbathur.
Si ngaherë, ike në një mbetëz shiu,
shtatore e bardhë fjetur në kopshtin e një ëndrre.
Me ftohtësinë e pasqyrës që parandien një krim,
ike ngaherë, ti që thoshe se s’do të ikje,
Dhe ndoshta ishe e çiltër kur, se s’do të ikje, thoshe.
Shqipëroi: Aurel Plasari