Nga: Benjamin Prado
Po të vish sonte, do të ndihesh aq e vetmuar,
dhomave të tua letra do të gjesh,
shtëpinë e braktisur të letërsisë sime
me qelqet e thyera dhe kopshtin e shprishur
si një ëndërr e humbur.
Dhe do të kuptosh papritur që jeta është rremësim,
është një rrugë e gjatë me spitale të vjetra,
që poezia mendohet siç mendohet krimi,
dhe ka njerëz që përgjojnë të strukur përfund dashurisë.
Do të ndihesh aq e vetmuar, po të vish sonte,
me heshtjen tënde plot dritare të vogla,
me qytetin dhe taksitë plot me të fshehta
dhe me këto vargje që prej territ të këqyrin
ëmbëlsisht në sy.
Kurme pa puls do të presin ndër çarçafë,
lumenj të paparashikueshëm që mjegullën përshkojnë
si trena qiellorë.
Shqiponjat do të shohësh, të zgjuara nga gjumi,
tek fluturojnë mbi pyllin e përkulur të shkrimit tim,
po të vish sonte, shqiponjat do të shohësh
tek fluturojnë, shqiponjat.
Por bën ftohtë. Orët kalojnë ngadalë.
Një erë e trishtë
përhap tymin e gjelbër të drurëve të ndaluar
përgjatë jetës sime. Bën ftohtë.
Dimri mbushet me makina të bardha,
dritare të ndezura pas pak sipër detit.
Si njerëz që pinë duhan së largu, si kalimtarë të vagullt,
kujtimet e mia shesheve të shkreta të kërkojnë,
pyesin, ndalen,
nga çdo anë me vetminë bien ndesh.
Të përfytyroj tani, e dashur, nëpër të tatëpjetën
e zbehtë të mbrëmjes,
në botën tënde me rrugë të gjera e me blire,
me akacie të heshtura, me qiparisa të menduar,
me rrepe që melankolinë tonë imitonin.
Këtu, matanë poezisë sime,
ndoshta bie shi, dhe unë ndoshta mendoj si të të them
të dua, të të them
sa ngadalë kalon koha pa ty.
Përktheu: Aurel Plasari
——————————–
LEXO EDHE:
AUREL PLASARI: FISHTA DHE “GOMERËT” E POLITIKËS
Më 1994, kur më në fund u botua e plotë satira politike e Fishtës “Gomari i Babatasit”, d.m.th. tok me pjesën e saj të dytë të mbetur në dorëshkrim, kam pas shkruar në Parathënien e botimit…
TEKSTIN E PLOTË MUND TA LEXONI KËTU