Besa Llugiqi, mysafire speciale në koncertin në amfiteatrin antik të Stara Zagorës

Sopranoja e njohur kosovare, Besa Llugiqi do të jetë mysafire speciale në galan glamuroze të operas në amfiteatrin antik të Stara Zagorës “Avgusta Trayana” në Bullgari, të shtunën, më 7 gusht, me fillim në orën 21:00 sipas orës lokale.

Koncerti me dirigjent Dimitar Kosev e regjisor Georgi Dinev është projektuar me një vizion elegant dhe si një gala e viteve të njëzeta të shekullit 20, transmeton Zeri.info.

Përkrah Besa Llugiqit, të parapëlqyerës së publikut të Stara Zagorës, do të jetë çifti tërheqës i solistëve hungarezë – Szilvi Szendy dhe Károly Peller.

Image

Në prag të galas, sopranoja kosovare Besa Llugiqi ka thënë për “Zëri”-n së është e nderuar të jetë mysafire speciale së bashku me solistët e njohur nga Hungaria. “Do ta kem kënaqësinë të prezantohem me arie nga opereta të njohura, përkrah artistëve vendas dhe orkestrës, në mrekullinë e amfiteatrit antik të Stara Zagorës “Avgusta Trayana”. Do të jetë një atmosferë e jashtëzakonshme mes kolegësh artistë, regjisor e dirigjent të nivelit të lartë”, ka thënë për “Zëri”-n Besa Llugiqi.

Image

Në program të galas së operas do të shfaqen edhe arie të zgjedhura, duete dhe ansamble të operetave Offenbach, Strauss, Lehár, Kálmán të interpretuara nga solistët Elena Petrova, Valeri Turmanov, Elena Mishinova, Boris Taskov, Yanitsa Nesheva, Emiliya Dzhurova, studentë nga Akademia Shtetërore e Muzikës “Prof. Pantcho Vladigerov”, orkestra dhe kori i Operës Shtetërore Stara Zagora. Publiku do të shijojë solo dhe shfaqje mbresëlënëse të baletit të Operës së Stara Zagorës. Koreografe është Joana Stojanova.

LEXO EDHE: Kritika gjermane veçon Besa Llugiqin për interpretimin në “L’Africaine”