Besim Zymberi: Si s’më deshe pak edhe ti…

Poezi nga Besim Zymberi

Ishte një ditë e bukur dje
Do jetë edhe nesër përsëri
Ndaj i shkujdesur do t’shtrihem të fle’
Siç do të shtrihesh të flesh edhe ti

Mallin për ty gjithnjë e përbij
Mes ëndrrave pa gjetur qetësi
Ashtu mëngjeset e bukura i gdhij
Mu siç i gdhin ato edhe ti

Hëna nga e plotë bëhet hark
Tek zgjatet netëve si litar i zi
Ia fus siluetat radhë në varg
Në secilën patjetër edhe ti…

E sheh sa të përbashkëta kemi
Dhe njëjtë i bëjmë unë dhe ti
Por njëri-tjetrit dot s’ia themi
As unë ty, as mua ti…

Ndoshta ngase n’dy jetët e mia
Dy jetë pra, të t’mos vijë çudi
Në njërën është tërë gjithësia
Ndërsa në tjetrën je vetëm ti

Të parën e prek e e shkel çdo ditë
Gjer n’adhurim, por pa fantazi
E dyta është po aq e vërtetë
Siç je e vërtetë edhe ti

Vetëm ti dhe asnjë tjetër
Dhe s’quhet ndryshe veç dashuri
Ama,nga ndjenja-të bëhet vepër
Si s’më deshe pak edhe ti…

ObserverKult


Lexo edhe:

BESIM ZYMBERI: SONTE MË ZGJOI NGA GJUMI NJË BUBULLIMË…

Më zgjoi nga gjumi një bubullimë e fortë
Zbritur nga qielli me përplot tërbim
Sa mbyllej një, hapej një tjetër portë
Mes reve të zymta, që fshihnin yllin tim

Bubullima, s’di se ç’tështin kësaj nate të vonë
Kur retë mund të shkunden edhe pa poterë
-Edhe qielli sëmuret,-gojët e liga thonë
Dhe veç me ulërimë sëmundjen nxjerr…

Poezinë e plotë e gjeni KËTU