Besim Zymberi: Bast me nga një bukë…!

besim zymberi

Poezi nga Besim Zymberi

(Në kampet serbe të përqendrimit në Serbi, në vitin 1999, pengjeve shqiptare të luftës nuk u jepej bukë e mjaftueshme! Ballafaqimi me urinë ishte një ndjenjë nga më të tmerrshmet.)

Ndodhi kur jeta hahej lugë-lugë
Në kampet e përqendrimit në Serbi
Kur bastet viheshin me nga një copë bukë
Ose me një bukë të tërë, në liri…

Ndodhi kur një tufë shqiptarësh të uritur
Numëronim trishtueshëm eshtrat mbi lëkurë
Më parë mund të besonim për një diell të fikur
Por se do të ngopeshim ndonjëherë me bukë-kurrë!

Duket holivudiane po ta mendosh një çast
Një tru shqiptari të shtypur nga zorrë përmbi
E vërteta në dyluftim, mbrohej vetëm me një bast
“Me nga një bukë, po dolëm në liri”

S’mund të kishin vlerë, as ari e as paratë
Në kampet serbe, ku jeta hahej me lugë
Ndoshta edhe liria përhumbej në të zezën natë
Në lutjen “Kur do të ngopemi njëherë me bukë…?!”

Edhe sot, unë, i lirë, mund të kem ndonjë çast
Kur ndaj veten në dysh, i trazuar në gjumë
Atëherë gjysma ime-tjetrës i vë bast:
“Me nga një bukë, po s’doli si thashë unë!”

ObserverKult

Lexo edhe:

BESIM ZYMBERI: SIKUR TË FSHIHESHA PËR NDONJË DITË…