Poezi nga Besim Zymberi
S’them dot se kam ndryshuar
Ndonjë rrudhë aty-këtu
Ca thinja-si dëborê e vonuar
S’jan’ që t’më thoni:-Ç’u bëre kështu…
Apo ju ndryshe mendoni
Sa pëshpërisni:-Jo, s’është ky ai
S’u hidhërohem dhe po t’ma thoni
Se ç’iku s’kthehet më përsëri
S’ka gjë, jeta të zbret në hullitë
Nëpër lëkurë thërrime-thërrime
Por, kur e thon’ vetë perënditë
Ç’të bësh pos të zbresësh në kujtime
Aty ku copëza malli shtrirë rrinë
Dhe unë i zgjoj pa ndonjë trazim
Ndoshta s’bëhet pa ndonjë psherëtimë
Kur s’mbledh dot të tërë portretin tim
Por, ti merak s’ke se pse të vuash
Në do të më shohësh diku përsëri
Sepse, s’kam ndryshuar aq sa të thuash
Ç’u bë me të…Ky, nuk është ai…
Rrudhat dhe dëborën, quaji si të duash
Por, s’ësht’ se janë diçka kushedi…
ObserverKult
Lexo edhe: