Besim Zymberi: Ç’iku, s’kthehet më përsëri

besim zymberi

Poezi nga Besim Zymberi

S’them dot se kam ndryshuar
Ndonjë rrudhë aty-këtu
Ca thinja-si dëborê e vonuar
S’jan’ që t’më thoni:-Ç’u bëre kështu…

Apo ju ndryshe mendoni
Sa pëshpërisni:-Jo, s’është ky ai
S’u hidhërohem dhe po t’ma thoni
Se ç’iku s’kthehet më përsëri

S’ka gjë, jeta të zbret në hullitë
Nëpër lëkurë thërrime-thërrime
Por, kur e thon’ vetë perënditë
Ç’të bësh pos të zbresësh në kujtime

Aty ku copëza malli shtrirë rrinë
Dhe unë i zgjoj pa ndonjë trazim
Ndoshta s’bëhet pa ndonjë psherëtimë
Kur s’mbledh dot të tërë portretin tim

Por, ti merak s’ke se pse të vuash
Në do të më shohësh diku përsëri
Sepse, s’kam ndryshuar aq sa të thuash
Ç’u bë me të…Ky, nuk është ai…

Rrudhat dhe dëborën, quaji si të duash
Por, s’ësht’ se janë diçka kushedi…

ObserverKult


Lexo edhe:

BESIM ZYMBERI: DO TË DOJA FUNDIN E DINJITETSHËM TË NJË YLLORIANI TË DEVOTSHËM!

Pyetësorit të Prustit i përgjigjet shkrimtari Besim Zymberi.

Cila është ideja juaj për lumturinë e përkryer?

Nuk e di se cili mund të jetë kufiri i fundit i lumturisë…
Përballimi i dhembjeve, triumfi ndaj vështirësive, aftësia për të pranuar sa më qetësisht realitetin-të bukur ose të vrazhdë, emancipimi i vazhdueshëm i botëkuptimit për lirinë, përpjekja e vazhdueshme për të mbetur sa më afër njerëzores, solidarizimi me nevojat e të tjerëve, gatishmëria për sakrificë  në shërbim të një ideje madhore, njerëzore ose atdhedashurie dhe sigurisht, edhe ndonjë britmë gëzimë në situata të veçanta, janë të gjitha që më bëjnë ta njoh lumturinë si formën e përkryer e përjetshmërisë, qoftë edhe të një çasti…

Cila është frika juaj më e madhe?

Frika ime më e madhe, ndonjëherë mund të jetë-frika nga pamundësia për ta menagjuar vetë frikën!

Besoj deri më tani t’ia kem dalë me sukses.

Ndërsa, frika ime më e madhe, por që nuk ka të bëjë me mua personalisht, është frika nga denatyrimi i njeriut, drejt  së cilës gjendje, druaj se jemi duke ecur krejtësisht të shkujdesur….

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?

Adhurimi, është një tipar i pashmangshëm në personalitetin e secilit njeri. Secili mund ta kemi heroin tonë, që jeton ose jo…

Tekstin e plotë e gjeni KËTU