…Në errësirën e zezë të ndezësh një shkëndijë
Në dëshpërimin më të thellë të gjesh një fije shpresë
Buzë vdekjes së mundimshme të qeshësh si fëmijë
Etjen e padurueshme ta shuash me një pikë vesë
…Çjerrjen lemeritëse ta kthesh në melodi
Një pikë lumturi në palcë të dhembjes ta gjesh
Në sy ta zbresësh qiellin dhe yjet e tij
Në buçimën e zemrës si ninullë-të flesh
…Mallin-vetëm hijes sate t’ia besosh
Një letër-erës në gushë t’ia varësh
Një pikë ujë-lotëve t’ua huazosh
Grilave kryeneçe një rreze t’ua marrësh
…Paqen ta nxjerrësh nga frymëmarrja e rënduar
Urrejtjen e shpifur ta përtypësh me dhëmbë
Drithmat-në thërmija t’i kesh imtuar
T’ua besosh atyre shkronjat e emrit tënd
…T’i lexosh thellë brenda ata, thellë shumë
Ta kuptosh: çfarë duan në të vërtetë…?!
Ata duan të bërtasësh: “Nuk jam ky më unë!”
Ata duan ti të bëhesh-siç janë ata vetë!
…T’i bindësh duhet-që mbetesh po ai
Një klithmë lirie ta shohin në ty
Ta ndjejnë që s’ta ndryshuan dot qiellin përmbi
Më pas-fitimtar t’i shohësh thellë në sy…
…Ta dish-me dhembjet barbare që ty t’i dhanë
Ata-dhembjen njerëzore brenda vetes e vranë…
25 janar 2019
Ferizaj
ObserverKult