Besnik Mustafaj: Kush tha se vdiqën ëndërrimtarët e dashurisë së marrë?

besnik mustafaj...

Poezi nga Besnik Mustafaj

Ëndërrimtarët e dashurisë së marrë vdiqën të gjithë,
U thanë një nga një, syhapur, në këmbë
Siç thahen pishat në brezat tokësorë që përpin shkretëtira.

U thanë një nga një, syhapur, në këmbë
Duke pritur të dalin nga mbledhjet e Parisë
Helenat,
Dylqinjat.
Duke kërkuar si të verbër Beatriçet e humbura
Nëpër kantieret e të djelave leniniste.

Ëndërrimtarët e dashurisë së marrë vdiqën të gjithë,
U thanë një nga një, syhapur, në këmbë,
U shndërruan në bashkëshortë të lumtur,
kryefamiljarë shembullorë.

Kohën e lirë
Dhe kohën e gjumit
Të vrarë dikur barbarisht aventurash
E kalojnë plot kënaqësi, si në mëngjeset e ngrirë
          dimërorë, si në pasditet përvëluese të gushtit,
Nëpër radha para dyqaneve ushqimorë.

Dhe në orët e pakta që u mbetën nga nata
Shtrihen symbyllur dhe fërkohen për t’u ngrohur disi

Pas trupave të ngjallmë, mishvarur
Të Heroinave të Punës Socialiste.

Kush tha se vdiqën ëndërrimtarët e dashurisë së marrë?…

1990

ObserverKult


Lexo edhe:

AKADEMIA E SHKENCAVE: ISMAIL KADARE ËSHTË KANDIDATURA E VETME E SHQIPËRISË PËR ÇMIMIN NOBEL