Biblioteka e Tetovës, ankohet drejtoresha: Ministria e Kulturës po më bën presion…

Drejtoresha e Bibliotekës së Tetovës ka akuzuar Ministrinë e Kulturës për presion ndaj saj dhe të punësuarve, për të bërë kërkesë për dislokim në hapësirat e Fakultetit të Arteve Muzikore.

Sipas saj në mbledhjen e Këshillit Drejtues të bibliotekës njëzëri është hedhur poshtë propozim i Ministrisë.

Të punësuarit kanë vizituar ambientet ku Ministria e Kulturës synon të diskolojë Bibliotekën, ndërsa aty kanë hasur mungesë të kushteve elementare për funksionim. Drejtuesit e Bibliotekës thonë se në rast të një vendimi të prerë për dislokim do të ketë protesta.

“Në bashkëpunim me punëtorët i kemi vizituar këto hapësira dhe e pamë që nuk ka kushte për funksionim të bibliotekës aty, sepse qarkullim të ajrit aty nuk ka dhe nuk do mund të punojmë sepse në momentin që do vendosen raftet me libra nuk do të mund të marrim frymë, madje aty as tualet nuk ka.

Neve na është bë presion përmes telefonit që ne vetë si institucion të bëjmë kërkesë për zhvendosje në Ministri por ne këtë kërkesë nuk e kemi bë.

Nëse do vjen puna deri tek vendimi përfundimtar i Ministrisë ne do protestojmë, madje edhe protestuesit janë gati të na përkrahin. Tetova nuk do mbetet pa bibliotekë”, tha Rezearta Ismaili drejtoresha e Bibliotekës “Koço Racin” Tetovë.

Alsat kontaktoi edhe Ministrinë e Kulturës, nga ku mohojnë akuzat e drejtoreshës për presione ndaj saj dhe të punësuarve.

“Drejtoresha nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë presion nga ana e Ministrisë së Kulturës lidhur me kërkesën në fjalë.

Përveç kësaj, Qeveria është në pushim vjetor që nga data 3 dhe nuk mund të konfirmojmë nëse ka apo jo kërkesë për dislokim nga ana e Bibliotekës së Tetovës”, thonë nga Ministria e Kulturës.

Kohë më parë Shtëpia e Kulturës në Tetovë konfirmoi se Ministria e Kulturës ka kërkuar dislokimin e Bibliotekës së Tetovës në klasat e Fakultetit të Arteve Muzikore, të cilat nuk plotësojnë as kushtet minimale për një bibliotekë./Alsat


Lexo edhe:

BIBLIOTEKA E TETOVËS RREZIKON TË MBYLLET

Mbi 20 vjet Biblioteka e Tetovës, po funksionon pa kushte elementare. Në një hapësirë prej vetëm 200 metra katrorë, janë të vendosura në rafte mbi 83.000 libra mes të cilave mezi kalohet.

Me tavane të ulëta, lagështi e dritë të tepërt që ndikon në shkatërrimin e librave, punëtorët e kësaj biblioteke përmes televizionit Alsat kanë alarmuar për kushtet e vështira. Ata kanë kërkuar një hapësirë më të madhe për të zhvilluar këtë veprimtari. Por, Ministria e Kulturës e Maqedonisë së Veriut, asnjëherë nuk ndërmori masa për dislokimin e bibliotekës në një vend me sipërfaqe dhe kushte të duhura.

Dhe sikur kjo të mos mjaftojë, ditë më parë, Ministria e Kulturës ka njoftuar organet e Shtëpisë së Kulturës ku është e vendosur edhe biblioteka, se e njëjta do të hiqet nga ai vend, dhe do të vendoset tek klasat e Fakultetit të Artit Muzikor. E aty ku kushtet, sipas të punësuarve në bibliotekë, janë edhe më të këqija.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult