Biblioteka Presidenciale “Dr. Ibrahim Rugova”, është pasuruar me rreth 600 tituj të rinj, botime të Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë.
Përmes një njoftimi për media nga presidenca e Kosovës, thuhet se dorëzim-pranimi u bë në një ceremoni të organizuar në Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë, në të cilën këshilltari i presidentes Osmani, Vehbi Miftari dhe përgjegjësi i Bibliotekës Presidenciale, Florent Rrahmani u pritën nga sekretari shkencor i Akademisë, akademik Shaban Sinani dhe akademik Vasil Tole, zëvendëskryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Përgjegjësi i Bibliotekës Presidenciale, Rrahmani tha se ky koleksion e pasuron fondin bibliotekar dhe thellon më tej bashkëpunimin ndërinstitucional, por njëkohësisht ofron edhe mundësi të reja për studiues dhe hulumtues.
“Fondi i dhuruar nga Akademia e Shkencave, që po i dhurohet Bibliotekës Presidenciale, përveç pasurimit, ka peshë të veçantë jo vetëm për bashkëpunimin ndërinstitucional, por edhe për hapjen e mundësive të reja për studiues”, ka thënë Rrahmani.
Ai tutje, në emër të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka falënderuar Akademinë për gatishmërinë dhe kontributin e tyre.
Ndërkaq, Shaban Sinani, sekretar shkencor në Akademi, theksoi se është nder që botimet tona të jenë pjesë e Bibliotekës Presidenciale.
“Për ne është nder i veçantë që një pjesë e botimeve të Akademisë, sidomos nga fusha albanologjike, të jenë pjesë e Bibliotekës Presidenciale. Shprehim gatishmërinë tonë që kjo formë bashkëpunimit të vazhdojë edhe në të ardhmen”, ka thënë Sinani.
ObserverKult
Lexo edhe:
POEZI NGA IBRAHIM RUGOVA: O KUJT T’I FALEM N’KËTË ORË T’VËSHTIRË
Me varg në shpirt m’çeli pranvera.
Desha t’jetoj gjithmonë i neshtë.
Më bëhet se do të vajtoj përhera,
Kur po hyj me të madhe në vjeshtë…
Poezinë e plotë e gjeni KËTU