Bisedojnë për “Big brother”, “Përputhen”, por nuk pranojnë se i shikojnë!

Nga Gent Strazimiri

“Pane, amore e fantasia” është një film i neorealizmit italian i vitit 1954 me regji të Luigi Comencinit.

Sekuenca simbol e filmit, është shumë therëse, të bën të qash e të qeshësh njëkohësisht.

Vittorio De Sica në rolin e “mareshalit”, komandantit të karabinierëve të fshatit, tek ecte rrugës sheh një individ të rreckosur të ulur rrëzë një muri në një rrugicë rrënojash, tek hante me shije një bukë të madhe, thatë, të mbledhur me gazetë…

“Çfarë po bën aty?”, e pyet.

“Po ha drekën, marescià! Bukë, djathë, sallam krudo dhe pak verë”, përgjigjet ai.

“Po djathin, sallamin dhe verën ku e ke?”, vazhdon ta pyesë i habitur De Sica.

“I kam në mendje, marescià”…

“Ahh…! Epo atëhere… të bëftë mirë….”!

Është Italia e pas luftës, e cila mes rrënojash përpiqej të gjente forcat për t’u ringritur, e që konsumonte vetëm dashuri që është falas dhe, një minimum konsumi aq sa buka thatë…

Mirëqenien e kishte thjesht një fantazi, në mendje…

Virtuale, do e quanim sot ne, në kohët “moderne”…

Nëse satira e neorealizmit italian ka fiksuar një moment psiko-social-ekonomik të Italisë së pasluftës, në Shqipërinë “moderne” ky është realitet propagandistik, e aspak “virtual”…

Virtualisht, një shqipëtar nuk ka nevojë të lodhet duke shkuar nëpër sportele për të marrë shërbimet që i nevojiten.

Gjithçka mund ta bëjë nga shtëpia, përmes e-Albania, si në Skandinaví…

Po s’besuat shihni lajmet e Top Channel…

Virtualisht, me një “click”, aty gjen çertifikatën e lindjes, martesës dhe të vdekjes, detyrimet e taksave dhe tatimeve etj, madje në “mënyrë të unifikuar përmes Web 2.0”, i konceptuar me “qasjen” që në qendër të jetë qytetari….

E thotë krejt qartë Tv Klan në 5 kronikat e para të lajmeve të çdo dite…

Virtualisht mjekësia në Shqipëri është falas, si askund tjetër në botë.

Shteti shqiptar (aspak virtualisht) paguan disafish më tepër se çdo shtet tjetër për shëbimet që virtualisht marrin qytetarët në spitale, që nga sterilizimi e deri tek dializa…

E sqaron deri në detaje Report Tv, sa herë i duhet qeverisë…

Në këtë vendin që ha vërtetë vetëm bukë thatë, virtualisht, ekonomia rritet vit për vit, dhe ndërtimi i kullave për frymë popullsie krahasohet vetëm me Dubain…

Virtualisht, përmes sondazheve, 67 % janë të kënaqur me qeverinë dhe qeverisjen, madje kjo pasqyrohet edhe në zgjedhje, por 33% kanë ikur dhe 87% e atyre që kanë mbetur kanë vendosur të ikin…

Virtualisht, në këtë vend të rreckosur që ha bukë thatë në cep të rrugicës, demokracia funksionon si sahat, “online” përmes komisioneve parlamentare, madje pa patur nevojë për debat e as për opozitë…

Virtualisht, në këtë vendin ku çdo gjë vidhet hapur, me paralajmërim, ku virtualisht 7×7 bëjnë vazhdimisht 42, pandëshkueshmëria ka marrë fund por vjedhja vazhdon edhe më intensivisht…

Virtualisht kemi edhe prezenca diplomatike që po ashtu virtualisht na “përgëzojnë për arritjet e deritanishme” që i kemi në mendje, në fantazi e, në rrugë e sipër na urojnë “ahhh…epo atëherë… të bëftë mirë…”!

Virtualisht, në këtë vendin që çdo gjë tjetër përveç bukës thatë, e ka luks (përfshi edhe “dashurinë”), të gjithë bisedojnë vetëm për “Big Brother” e “Për’puthen”, por askush nuk pranon se e ndjek…

Nëse e pyet se nga i di zhvillimet e fundit deri në detaje, të përgjigjet se e ndjek ndonjëherë, rastësisht dhe, e bën vetëm për qëllime “studimore”, për të kuptuar se “a ka rënë vërtetë kaq poshtë kjo shoqëri”…

Gjithsesi një gjë është e sigurtë, e prekshme e aspak virtuale: ditën e transmetimit të tyre, Tirana është bosh.

Secili ka zënë cepin e tij të rrugicës për të shijuar me oreks copën e tij të “Big Brother”, duke patur në fantazi, në mendje, virtualisht, çdo gjë tjetër që duhet ta kishte realisht e që ia marrin çdo ditë, live, me paralajmërim…

Këtu realja dhe virtualja “Për’puthen” shijohet plotësisht, prandaj nuk ka më as forcë për të reaguar… dhe nuk është film…

ObserverKult


pablo neruda

Lexo edhe:

PABLO NERUDA: KËTO JANË GJËRAT QË MË LE…

Poezi nga Pablo Neruda

Lexo, këta janë emrat e gjërave
që më le – mua, librat , parfumin tënd
përhapur në dhomë, një ëndërr të përgjysmuar
dhe dyfish dhimbje,
puthje për gjithë trupin si therje të thella
që s’kanë për t’u mbyllur kurrë;
dhe libra, nostalgji,
çelësin e një shtëpie që s’ka qenë kurrë jona,
një rrobdëshambër prej fanellate të kaltër
që e vesh, kur bëj këtë listë emrash:
libra, qeshje që s’arrij t’i vë në rregull,
dhe zëmëratë – një vazo orkidesh
që aq tepër i doje, pa e ditur unë pse
që mbase për këtë nuk u ktheva që t’i ujisja,
dhe librat, krevatin e parregulluar prej ditësh ,
një letër mbi jastëkun tënd
dhe shumë vuajtje, mjaft vetmi,
dhe në sirtar dy bileta për një film me dashuri
që s’e pe me mua, e libra të tjerë,
dhe një këmishë të zbardhur me të cilën fle natën,
për të ndenjur më pranë teje,
dhe, nga të gjitha anët, libra, shumë libra,

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult