Bislim Ahmetaj: Luftë pa arkmorte

bislim ahmetaj

Poezi nga Bislim Ahmetaj

Nga lufta s’ka lajme,
edhe kur ka,
ato janë ma të zeza se vdekjet
Lufta s’është as në fillim,
as në fund,
as në mes.
Lufta ka mbetë
mes katër rrugëve.
Komshijve tanë dje i erdhi me postë,
gishti i madh i kamës i t’vetmit djalë.
Pak ditë më parë kishin festuar njëzetvjetorin e tij,
kuptohet ai ishte në front.
Çelën gjamën,
lajmëruam, se presin tri ditë,
nga ora 9.00 deri në orën 21.00
në shtëpinë funerale “Engjëjt blu”
Gratë rrinë në një anë,
burrat në anën tjetër
shihen nderveti, por janë të ndamë.
Në një akuarium kristali,
noton në formalinë gishti i heroit,
pranë tij një medalje nga Presidenti
që mbërriti bashkë me gishtin e madh
të këmbës së tij të djathtë.
Është aty edhe një letër e lyeme në gjak
shkruar nga shoku i ngushtë i heroit.
E pamundur të lexohet,
sepse boja dhe gjaku janë përzier
e ckurrojnë si pika loti të përgjakura.
Në kohën e drekës
rreth orës 13.30
të gjithë sa gjenden në pamje,
hanë vaktin.
Është koha
kur flasin vetëm lugët,
nëpër pjatat e supës dhe
pirunjtë nëpër ato të sallatës.
Kjo heshtje e trishtë,
prodhon ca tinguj pagane
që shurdhojnë dhimbjen.
Kafe,
kafe,
pak fjalë dhe heshtje…
Gishti i këmbës së djathtë që noton në akuariumin e mbushur me formalinë,
letra e përgjakur
dhe medalja e Presidentit,
antikuaret e vetme të luftës
që as s’është në fillim,
as në mes,
e as në fund.
Në një ekran të madh
mes grave dhe burrave
shfaqet portreti i heroit.
Djalë i hieshëm
yll kinemaje.
Në portret nuk duket askund
gishti i madh i këmbës së djathtë,
as i vogli, asnjëri prej gishtave,
as gishtat e dorës syresh.
I ka kryqëzuar duart heroi
në atë portret,
dhe gishtat bashkë me shuplakat
e duarve i ka mshef nën sqetulla.
Sytë i ka plot dritë
si dy meteor që rrokin qiellin.
Një pamës… pasi e ka kryqëzue
lugën dhe pirunin,
mbi pjatën e lerueme,
guxon e çel gojën e tij si shpellë bore:
Në qytetin tim para pak ditësh
ngushëlluan vëllain tim për të birin,
për nipin tim njëzet e një vjeçar.
Në arkmort-akuariumin e tij
notonte një sy,
ishte syri i tij majtë.
Të gjithë sa ishim në atë mort
pa kufomë
e njohëm.
Ai kishte sy të rrallë,
sy zhgabonjë,
Sy dritë ishte nipi im
Bashkë me syrin e tij të majtë
na erdhi edhe dekorata e Presidentit.
Veçse atij si shkroj askush një letër
të gjithë sa ishin në atë front u vranë.
Ra heshtja,
si mjegulla mbi varre.
Të gjithë i çuan sytë te gishti i madh
i këmbës së djathtë, zhytyr në formalinë.
Por edhe te letra
që s’lexohej
se ishte e mbytur në gjak.
Dikush tjetër deshi të flasë…
Por tufa njerëzish të njohur e të panjohur
u shfaqën në derë,
kishin mbrritur nga larg për kryeshnosh.
Është lufta e parë
pa arkmort.
Guxoj e tha dikush.
Luftë që s’është
as në fillim,
as në mes,
as në fund…


Ksamil, 18 korrik 2024

ObserverKult


Lexo edhe:

BISLIM AHMETAJ: VAJZAT E ATDHEUT SHPESH E MË SHPESH QAJNË…