Bislim Ahmetaj: Më prisni edhe mua…

bislim ahmetaj

Nga Bislim Ahmetaj

Kristina u habit me veten  e saj kur një natë pranvere pa që mes shalëve po i rridhte një lëng me ngjyrën e gjakut shoqëruar me dhimbje të forta të mesit dhe të gjithë trupit.

Gjakun e njihte, e kish parë nëpër duart e veta para shumë vitesh kur ju pat thyer gjatë larjes llampa e vajgurit. Se harronte atë moment ku përveç dhimbjes dhe tmerrit ju desh të duronte edhe hakërrimat e të vëllezërve.

Por ngjyrën dhe dhimbjen e atij lëngu e kishte parë dhe ndjerë edhe në këmbë kohë më pas kur po barte dru në mal dhe një gjemb ja kishte shpuar galloshen plastike duke i shkuar deri në kockë, gjaku i rridhte ckurriel. Atë botë pat qarë dhe qe frikësuar aq shumë sa i ati ju dha urdhër të prerë vëllezërve që Kristina nuk do të dilte kurrë më për dru në mal.
Por ai lëng ngjyrë gjaku që i rrodhi mes shalëve pa asnjë shkak e la pa mend. U trishtua dhe u zbeh e tëra.

Kujt t’ja tregonte?!

Kristinën e kishtë lënë e ema 5 vjeçe, vëllezërit e saj të rritur thjeshtë e shihnin si një numër dhe shërbëtore nëpër shtëpi, i jati e donte si dritën e diellit por në mënyrën e tij lopçare.

Mëngjesin që Kristina u lag mes shalëve më atë lëngun ngjyrë gjaku ishte vetëm 12 vjeçe.

U çua e tmerruar si një humbameno bashkë me çarçafin e saj dhe qajti në nevojtoren që gjendej pas shpisë së tyre deri sa ju enjtën sytë.

 Ju fshihej vëllezërve, i fshihej të jatit. Kujt t’ja tregonte plagën që i kulloj gjak pa asnjë shkak, gjak që vazhdoj t’i rridhte për pesë ditë me rradhë. 

 E njëjta gjë i ndodhi  pas rreth një muaji, prapë qajti e qajti pa mundur ta qante hallin e saj me askënd.

 Nga fundi i marsit, dy muaj e pak ditë pasi i kishte rrjedhur mes shalëve ai gjak i mallkuar pa asnjë arsye në shtëpinë e tyre erdhën të paftuar rreth 20 burra të panjohur.

 Ata u prezantuan si partizanë.

Kristina aq sa e dinte arsyen pse i kishte rrjedhur në mënyrë të beftë ai gjak mes shalësh, aq edhe e dinte sepse ata burra të palarë dhe të armatosur quheshin partizanë.

I ati dhe të vëllezërit i thanë që të gatuante ç’të mundte për të gjithë.

 Ajo u shfaq të paktën dhjetë herë në dhomën që binte era djersë  dhe thartirë. Dhoma e madhe e miqve po i ngjante Kristinës me vathën e dhive ku ajo kalonte një pjesë të mirë të ditës. Sa herë që e hapte derën duke e shtyrë me brrylë pasi duart i kishte përherë të zëna me çanakë të mëdhenjë mbushur me djathë, gjizë, vezë të ziera, qepë dhe turshi ajo dëgjonte të shqiptohej në forma të ndryshme fjalën “gjak”. Kjo fjalë e mallkuar dhe enigmatike shëtiste herë në gojën e njërit e herë të tjetrit e bashkëlidhur me disa fjalë të tjera që ajo si kishte dëgjuar kurrë më pare, si për shembull “Me gjak do ta fitojmë lirinë”, “Gjaku nuk bëhët ujë”, “Do ta derdhim gjakun lumë”, “Për Atdhe s’më dhimbset gjaku”, “Atdheu mbrohet me gjak”,  “Gjaku lahet me gjak”.

 Babai dhe tre vëllezërit e saj folën atë mbrëmje, aq sa foli Kristina.

Dikur pas mesnate në dhomën e madhe të ndenjës ra qetësia.  

Kristinës ju kish arratisur gjumi. Aty rreth orës 5 të mëngjesit në dhomën ku flinin burrat që e quajtën vetën partizanë u dëgjua një zë i fortë “Shokë partizan, ngrihuni, duhet të nisemi pa lindur dielli në mënyrë që ta lëmë fshatin pa u diktuar”.

 Kristina me një boçe në krah në të cilin kishte hedhur disa ndërresa të vetat ju vu pas partizanëve dhe vetëm kur ata dolën në kodrën prej ku nuk shihej më as shtëpia dhe as fshati i saj i thirri me zë të lartë partizanit të fundit në rrjesht. “Më prisni edhe mua, edhe unë vendosa ti bashkohem çetës tuaj partizane…” /ObserverKult