Holderlinit
Herët kam dalë në rrugët e Jerusalemit të vjetër.
Hijet e shenjta ende mbulojnë Luginën e Kidronit.
E pas lehjeve të gjata të natës,
qentë e lirë ende flejnë në qoshet e ngrohta të gërmadhave
në Qytetin e Davidit.
Ndez një cigare dhe qëndroj midis rrënojave të shenjta.
Në heshtje shaloj kalin e imagjinatës dhe nisem për rrugë.
Takoj legjione të egërsuara romakësh,
ushtri të dalldisura kryqtarësh,
profetë, magjistarë, misionarë, ëndërrimtarë, murgj, robinhudë,
donkishotë, perandorë, delegata popujsh e fisesh.
Aq shumë takoj, sa nuk arrij t’i mbaj mend të gjithë.
Dhe të gjithë duan të shkojnë në Jerusalem.
Të takohen me Zotin.
Aty në Luginën e Kidronit.
Jerusalem
15.07.2019